E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët e ngujuar, hetim Ministrisë së Punës

Prokuroria e Përgjithshme ka qenë në dijeni të skandalit me fondet e Qendrës së Fëmijëve të Ngujuar në Poliçan. Prokuroria e Beratit, disa muaj më parë, i ka dërguar për verifikime akuzës qendrore dosjen penale dhe ndër të tjera u kërkonte titullarëve të verifikonin rolin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Punës, të cilët kishin akorduar fondin për qendrën. Dyshohet se zyrtarët e Ministrisë së Punës kishin shpërdoruar qindra milionë lekë të destinuara për të shkuar te Qendra e Fëmijëve të Ngujuar. Por paratë kanë humbur rrugës kush e di se ku. Për këtë fakt, Prokuroria e Beratit ka filluar një hetim të plotë dhe deri tani ka nën hetim disa institucione shtetërore. Krahas Ministrisë së Punës, hetimet janë përqendruar te Bashkia e Poliçanit dhe te Qendra e Fëmijëve të Ngujuar. Drejtuesi i Prokurorisë së Beratit, Xhemal Saliasi, ka bërë të ditur se kjo çështje nuk është e panjohur për këtë organ, por sipas tij do të hetohet në detaj. Prokurori Saliasi pohon se prokuroria që drejton, pas denoncimit të bërë nga shtetasja Liliana Luani, tha se hetimet do të shtrihen në pushtetin vendor, në Qendrën e Fëmijëve të Ngujuar si dhe në ministrinë nga e cila u derdhën fondet. Pasi drejtoi këtë qendër për më shumë se dy vite dhe deklaroi ditët e fundit mbylljen e saj si rezultat i mungesës së fondeve për mbajtjen e fëmijëve, aktiviteti i Liljana Luanit do të kalojë nën sitën e prokurorisë. Prokurori Saliasi pohon se organi i prokurorisë më në fund duket se do të hedhë dritë mbi aktivitetin dhe menaxhimin e fondeve të akorduara në drejtim të kësaj qendre. Prokurori Saliasi pohon se prej më se dy vitesh në dosjet e prokurorisë ndodhet dhe çështja e aktivitetit të qendrës së fëmijëve në gjakmarrje dhe menaxhimi i fondeve të saj. Vetë kreu i prokurorisë thotë se hetimi ndaj drejtuesve të qendrës së trajtimit të fëmijëve në gjakmarrje nisi pas denoncimit nga vetë drejtuesja Liljana Luani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›