E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqej si punonjës i SHIK-ut, premtonte punë dhe arsimim

27/10/2009  U merrte lekë shtetasve. Policia zbulon mashtruesin pas denoncimit nga “viktimat”e tij

ELBASAN-Hiqej si agjent SHIK-u për t’i zhvatur para qytetarëve në këmbim të gjetjes së një pune dhe për shkollim arrestohet nga policia. Fatmir Gjinollari me banim në lagjen “Qemal Stafa” është vënë në pranga një ditë më parë pasi ekzistonin kallëzime nga qytetarët për mashtrim. Ai u premtonte se do t’i punësonte dhe do t’i fuste në universitete vetëm se ata duhet të parapaguanin. Sipas policisë ndaj 31-vjeçarit kishin ardhur disa kallëzime për mashtrime nën petkun e një punonjësi sigurimi kur nuk ishte aspak i tillë.

Mashtrimet

Burime zyrtare bëjnë të ditur se seksioni kundër krimit ekonomik e financiar në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit ka ndaluar Fatmir Gjinollarin 31 vjeç me banim në lagjen “Qemal Stafa”, pasi akuzohet për përfitim me anë të mashtrimit. Ndaj tij Prokuroria e rrethit gjyqësor në Elbasan kishte lëshuar një urdhër ndalimi pasi ky shtetas dyshohet se me anë të mashtrimit, duke u prezantuar si punonjës i SHIK-ut, u premtonte shtetasve sistemimin në punë në arsim e në institucione të tjera kundrejt një shpërblimi të majmë. Gjatë kontrollit në banesë u gjendën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një palë pranga, një kartë krediti të Alfa Bank si dhe një kartë krediti e një banke. Agjentët janë duke grumbulluar prova të tjera për aktivitetin e 31-vjeçarit që nuk ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij. Policia gjithashtu është duke vërtetuar llogaritë e të ndaluarit në dy bankat ku ju gjetën kartat për të parë sesa ka fituar nga biznesi i ri që kishte ndërmarrë muajt e fundit. Qytetarë të ndryshëm kanë mbërritur në polici pasi kanë pritur më kot sigurimin e një pune apo të shkollimit të fëmijëve të tyre. Mësohet se në prezantimin e tij, 31-vjeçari thoshte se kishte miq njerëz shumë të rëndësishëm pasi ishte agjent. Ai mund t’i gjente punë duke marrë si ryshfet një shumë të vogël që varionte sipas kategorisë së qytetarëve nga 10 mijë deri në 50 mijë. Paratë duheshin për dreka dhe për ndonjë dhuratë që të gjendej puna, por në fund paratë përfundonin në xhepat e të riut dhe ky i fundit zhdukej duke ndërruar edhe numrin e telefonit. Vetëm kur kanë kuptuar se afati i shkollës kaloi dhe po kështu punë nuk po gjendej qytetarët kanë vendosur t’i drejtohen policisë. Hetimet vazhdojnë dhe pritet të zbardhen të tjerë persona të mashtruar nga 31-vjeçari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›