Peshkonin me lëndë plasëse, plagosen dhe prangosen
Librazhd
Dalin për peshk, për pak humbin jetën tre kushërinj nga një fshat i Librazhdit. Plasja e lëndëve kimike që do përdornin për vrasjen e peshqve u ka rrezikuar seriozisht jetën. Sipas burimeve policore, rreth orës 02:30 të së hënës, Jani Meta 22 vjeç, Oltjon Meta 23 vjeç dhe Aurel Meta 18 vjeç, të tre banues në fshatin Kuturman të Librazhdit, kanë mbetur të plagosur. Të njëjtat burime saktësojnë se ata u arrestuan, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përgatitur një përzierje plehu kimik me naftë e më pas kanë shkuar për të peshkuar në lumin e Rrapunit, afër fshatit të tyre. Në kohën që Oltjon Meta ka hedhur në ujë përzierjen, ajo i ka plasur në duar e për pasojë kanë mbetur të dëmtuar tre të rinjtë. Të tre të plagosurit ndodhen të shtruar në spitalin kirurgjikal të Elbasanit dhe sipas mjekëve, janë jashtë rrezikut për jetën. Nga ana e policisë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 8 kapsolla detonatorë, një pjesë fitili dhe një përzierje eksplozive. Ndërkohë mësohet se ndaj tre të rinjve ka nisur procedimi penal për veprat penale “Peshkim i ndaluar” dhe “Mbajtje pa leje e lëndëve plasëse”.
#