Fëmijët e xhaxhait skanë gisht në vrasje
“Kisha muaj që ndiqja hasmit. Me kursimet e mia bleva një televizor të ri dhe thura në kokë një plan për të eliminuar vrasësin e xhaxhait”. Kështu ka deklaruar dje në gjykatë Luan Dervishi, i akuzuar nga prokuroria për vrasje me paramendim ndaj shtetasve Xhevdet Xhebrahimi dhe Luan Brahja nga Sauku i Tiranës. Gjykata e Tiranës vendosi masën “arrest me burg” për Dervishin. Vendimi u dha nga gjyqtarja Rezarta Vigani, ndërsa prokurorja Liljana Gjomema kërkoi të njëjtën masë sigurimi. Para gjyqtares, Luan Dervishi ishte shumë i qetë, madje ka preferuar që deklarimet e tij të dhëna para oficerëve të policisë gjyqësore të lexoheshin në gjykatë. Për këtë autorizoi avokaten Vjollca Pustina, ndërsa për çdo frazë që lexohej në sallë ai miratonte me kokë. Fillimisht gjyqtarja Rezarta Vigani e ka pyetur të pandehurin nëse punonte dhe ai ka treguar se ka një servis pranë banesës, ku punonte bashkë me të atin. Ndërsa për faktin se ku i siguroi paratë që bleu televizorin, i pandehuri ka thënë se ka përdorur kursimet e veta. Kishte kohë që e bluante në mendje mënyrën që do të përdorte për të eliminuar vrasësin e xhaxhait.
HasmëriaMegjithëse kishte bërë një plan të “situr mirë” në mendje, familjarët e tij janë shokuar nga e gjithë historia, madje edhe vetë fëmijët e xhaxhait të vrarë në vitin 1997, një djalë dhe një vajzë. Sipas Luan Dervishit, fëmijët e xhaxhait të tij janë të vegjël në moshë dhe nuk kanë pasur kurrfarë dijenie për këtë plan. Ai tha se djali i xhaxhait e ka pyetur “përse të arrestuan dhe përse e bëre këtë?” - ndërsa përgjigjja e tij ishte “je i vogël, kur të rritesh do ta kuptosh se si është historia”. Sipas deklarimeve që u lexuan dje në gjykatë, Dervishi ka pohuar se prej shumë muajsh ai ndiqte lëvizjet e familjarëve të Xhebrahimit, madje kishte arritur të mësonte edhe numrin e telefonit të djalit të viktimës, të quajtur Altin Xhebrahimi. Pas leximit të deklarimeve, prokurorja tha se i pandehuri akuzohet se ka montuar tre kallëpe dinamiti brenda një televizori, duke ia dërguar dhuratë hasmit të vet. Si pasojë e shpërthimit, gjetën vdekjen Xhevdet Xhebrahimi dhe Luan Brahja, i afërmi i tij. I pandehuri ka shpjeguar se dinamiti ishte “dhuratë” vetëm për Xhebrahimin. Sipas tij, viktima në vitin 1997 i ka vrarë xhaxhain, ndërsa skema që ka përdorur i pandehuri në dukje është e komplikuar, por faktikisht është zbërthyer menjëherë nga policia.
SkemaDisa ditë më parë, Luan Dervishi mendoi të vinte në jetë skemën e eliminimit të hasmit. Sipas policisë, ai fillimisht shkoi te një pikë që shiste televizorë dhe mendoi t’i bënte një “dhuratë” të vlefshme familjes Xhebrahimi. Në pikën ku bleu televizorin ka pyetur shitësen nëse dërgojnë dhurata dhe shitësit e pafajshëm pranojnë se e bënin një që të tillë. Në pikën e shitjes ai nuk u paraqit me emrin e vërtetë, por me pseudonimin Dritan çela, një emër që i ka ardhur ndërmend për momentin. Të nesërmen mori në shtëpi televizorin plazma dhe brenda tij futi tri kallëpe tritol. Dje në gjykatë Dervishi tha se televizori nuk i mbante të tria kallëpet e dinamitit dhe me vështirësi e ka mbyllur atë. I ka paketuar të dyja dhuratat bashkë dhe me taksi i ka nisur për te shtëpia e viktimës. I pandehuri shpjegoi se herën e dytë në dyqan ka shkuar i maskuar. I pajisur me një patericë në dorë ka vendosur një qafore duke thënë se ka pësuar aksident, me syze të errëta dhe me një kapele, ai bënë porosinë dhe më pas largohet i qetë, teksa sheh taksinë që niset drejt shtëpisë së hasmit të vet. Pas ngjarjes, Luan Dervishi nuk ka lëvizur nga banesa. Ndërsa disa orë më pas ai është shoqëruar në polici, pasi kamerat e pikës së shitjes së televizorit e kishin pikasur teksa hynte në dyqan. Sipas akuzës, policia ka bërë një paraqitje për njohje me shitësen, menaxherin dhe taksistin. Ky i fundit e ka njohur nga zëri, pasi si pamje nuk mundi ta dallonte për faktin se ishte i maskuar.
#