E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Elbasanit, punë ekspertësh

Policia vërteton se vrasësit ishin dy dhe shumë të zotë, sa mblodhën edhe gëzhojat

Kanë qenë dy persona ata që kanë ekzekutuar 39-vjeçarin Sajmir Binjaku, mbrëmjen vonë të së hënës. Ky ka qenë konkluzioni që ka nxjerrë policia e Elbasanit, në bashkëpunim me ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe ekspertë të kriminalistikës.

Sipas specialistëve, ky përfundim ka dalë pas analizimit të kohës së goditjeve dhe faktit që 39-vjeçari është qëlluar në dy pjesë të ndryshme të trupit. Mbi Binjakun është qëlluar 11 herë me pistoletë, pa zhurmë. I njëjti burim sqaron se katër plumba e kanë qëlluar Binjakun pas koke dhe shtatë në pjesën e pasme të shpinës dhe shpatullave. Më pas, vrasësit kanë fshehur gëzhojat në një çantë të parapërgatitur më parë.

Ndërkohë, përveçse e ka cilësuar si një vrasje të mirëfilltë të tipit mafioz, policia lokale i ka përqendruar hetimet në dy pista kryesore. E para janë motivet e hakmarrjes për probleme të mbartura që nga koha kur viktima ka jetuar në emigracion në shtetin italian dhe e dyta probleme të krijuara prej tij në Shqipëri, nisur edhe nga precedentët penalë që policia i ka të skeduara gjatë kohës së qëndrimit në vend.

Mësohet se rreth 60 persona janë marrë në pyetje deri mesditën e djeshme, por ende nuk ka të ndaluar apo të dyshuar. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit, edhe pse ka shoqëruar një numër personash, ende nuk ka dalë në një variant zyrtar të ngjarjes, ndërkohë që mësohet se të gjithë të pyeturit kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar apo parë gjë mbrëmjen e krimit. Kjo edhe për faktin se gjithçka është zhvilluar në disa sekonda dhe se arma ka qenë pa zhurmë.

39-vjeçari Sajmir Binjaku, banor i lagjes “çlirimi” të qytetit të Elbasanit, u vra me dhjetë plumba pas shpine të hënën më 14 qershor, rreth orës 22:30, në një pikë interneti jo shumë larg hotelit “Sandra”, në unazën jugore të qytetit të Elbasanit. Autorët e vrasjes kanë hyrë në sallën e internetit jo më tepër se 4-5 minuta, pasi Binjaku ishte ulur përpara një kompjuteri. Ata nuk kanë shqetësuar askënd, por krejt papritur kanë derdhur pas shpinës së Binjakut dhjetë plumba, nga dy pistoleta me silenciator. Ata pak frekuentues të sallës së internetit që ndodheshin atje në atë orë të vonë të mbrëmjes, kanë deklaruar gjatë marrjes në pyetje në polici se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt, pa i lënë asnjërit kohë të reagojë.

Policia, e lajmëruar nga dëshmitarët, ka mbërritur në vendin e ngjarjes rreth orës 22:45 dhe nuk ka mundur të gjejë atje asnjë provë, pasi edhe gëzhojat e armëve ishin mbledhur nga vrasësit, që edhe për shkak të këtij veprimi, konsiderohen profesionistë. Sipas një specialisti të policisë, autorët e krimit e kanë mbajtur armën mbi një çantë të posaçme, në mënyrë që në kohën e goditjes gëzhojat të binin brenda saj dhe të mos shpërndaheshin.

Profesionalizmi i vrasësve dhe problemet e shumta të Sajmir Binjakut e kanë bërë tepër të vështirë për policinë përcaktimin e një piste të saktë hetimi. I njohur ligjërisht si biznesmen, i cili administronte hotelin “Sandra” në qytetin e Elbasanit, Binjaku kishte pasur edhe një aktivitet të dendur kriminal, duke u përfshirë në trafikun e drogës dhe shfrytëzimin e prostitucionit. Ai kishte rënë disa herë në prangat e policisë për vepra të ndryshme penale, por përherë kishte arritur të lirohej pas disa ditësh izolim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›