Qëlloi me çifte hajdutin, përfundon në pranga
Qëllon me çifte hajdutin, denoncohet nga ky i fundit për plagosje. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të së mërkurës në fshatin Velmish të Komunës Strum, në Rrethin e Fierit. Sipas burimeve nga fshati Velmish, mësohet se plagosja e hajdutit ka ndodhur në banesën e Ajet Xhafës, i cili prej vitesh kishte hapur një minimarket. Përveç ushqimeve të konsumit të përditshëm, Xhafa prej kohësh tregtonte edhe materiale ndërtimi. Sipas të afërmve të familjes, mësohet se rreth orës 02:00 të së mërkurës Xhafa ka pikasur hajdutin dhe ka qëlluar mbi të me çifte. “Një mëngjes xhaxhai vuri re se i kishin vjedhur disa rrjeta teli, si dhe tubo hidraulike që përdoren për instalime të rrjetit për ujin e pijshëm. Konstatimi i vjedhjes u përsërit për tri ditë me radhë, sa detyroi tim ungj të niste shërbimin roje për materialet që tregtonte”, tregon Endriti, nipi i Ajet Xhafës.
Sipas familjes Xhafa, hajduti ishte nga fshati Moravë e Beratit dhe ishte dhëndër në fshatin Cukalat, fshat kufi me fshatin Velmish. Pasi është qëlluar me çifte, ai ka njoftuar Komisariatin e Policisë së Fierit, forcat e të cilit kanë shkuar paraditen e djeshme në vendin e ngjarjes dhe kanë shoqëruar të zotin e shtëpisë, Ajet Xhafa. Mësohet se autori i dyshuar i vjedhjes është shtetasi Taulant Hysa. Ai është shtruar në spitalin e Beratit, pasi është plagosur nga të shtënat e armës së gjahut. Ai nuk e ka pranuar vjedhjen, ndërkohë që komisariatet e dy qyteteve, Fierit dhe Beratit, po hetojnë për ta zbardhur këtë ngjarje, që fatmirësisht është mbyllur pa viktima.
#