Tre gjimnazistë në pranga për vjedhje karburanti
Shkon në 4 numri i gjimnazistëve të përfshirë në vjedhjen e karburanteve në qytetin e Sarandës. Pas arrestimit në flagrancë të gjimnazistit Armando Veshi, 19-vjeç, banues në Lagjen Nr.1 Sarandë, policia ka vënë në pranga edhe dy të tjerë, ndërkohë që në kërkim është shpallur edhe një gjimnazist i “Hasan Tahsinit”. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, blutë e Sarandës kanë bërë arrestimin në flagrancë të K.Hasanit, 18 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen Nr.4 Sarandë; gjimnazist Ardian Tusha, 24 vjeç, lindur dhe banues në Shelegar, pronar i një karburanti; ndërkohë që është bërë shpallja në kërkim e shtetasit L.Bolena, 18 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen Nr.3 Sarandë, gjimnazist te “Hasan Tahsini”. Dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, prej shumë kohësh dhe në disa raste ata kanë vjedhur një sasi prej të paktën 250 litrash naftë, duke shpërthyer serbatorët e mjeteve të parkuara. Policia ka dokumentuar të paktën tre raste, siç janë ato në automjetet me targa SR5053B, SR0604B dhe TR7747T. Karburantin e vjedhur tre gjimnazistët e tregtonin te pika e karburantit në fshatin Shelegar, në pronësi të Ardian Tushës.
#