E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët endacakë helmohen me akullore, i shpëton një grua

 

FIER / MAJLINDA RAMA

Pakujdesia dhe stina e nxehtë rikthen rrezikun për vogëlushët në qytetin e Fierit. Këtë herë, viktima të një helmimi nga akulloret janë bërë 4 fëmijë endacakë, të cilët janë nisur me urgjencë në spitalin e Fierit. Ende nuk është bërë e ditur se kush ua dha fëmijëve akulloret, por ajo që dihet është që njëri prej tyre, më i vogli rrezikoi jetën. Fëmijët janë përkatësisht A.R., 3 vjeç, M.N., 4 vjeç dhe dy 6-vjeçarët D.A. dhe L.R., ky i fundit mësohet të jetë vëllai i të voglit. Prej kohësh vogëlushët romë endeshin rrugëve, duke lypur cepave të qytetit dhe ngrënë ç’të mundnin, por dita e djeshme ka qenë fatale për ta. Sipas qytetarëve, kalimtarë të rastit që panë fëmijët të shtrirë të gjithë përtokë, kjo pamje ishte njëra nga më rrëqethëset e kohëve të fundit në Fier. “Mendova se i kishin vrarë. Jam terrorizuar. I kisha parë këta fëmijë gjithandej, madje disa herë më kishin zgjatur dorën për lëmoshë dhe u isha gjendur, por kur i pashë të shtrirë pranë njëri-tjetrit jam trembur shumë. Menjëherë mora tim shoq dhe i futëm në makinën tonë për t’i çuar në spital”, tregoi pas ngjarjes Mimoza Kuçi, e cila jo vetëm i shpëtoi fëmijët, por dhe i ndihmoi ata me veshmbathje. Aty kanë marrë ndihmën e parë dhe me përjashtim të më të voglit, të tjerët janë mirë. Bluzat e bardha ndërkohë kanë deklaruar se ka qenë konsumimi i akulloreve ai që ka sjellë intoksikacion tek fëmijët e vegjël. Kjo e vërtetuar nga të vjellat e shpeshta dhe gjendja e fëmijëve në momentin e kontrollit nga mjeku. Të gjithëve u është bërë lavazh dhe janë vënë në serum. Gjendja e tyre erdhi duke u përmirësuar, ndërsa 3-vjeçari është ende rëndë. Ndërkohë përballë kësaj ngjarjeje duket se nuk mund të gjendet një autor, pasi fëmijët nuk kanë qenë në gjendje të japin detaje dhe shpjegim rreth asaj që kishin konsumuar. Madje, fëmijët nuk kanë ditur të thonë nëse e blenë apo ua dha dikush akulloren. Sipas informacioneve nga spitali, tre fëmijët i janë rikthyer normalitetit në shtëpitë e tyre, ndërsa më i vogli do të vazhdojë të marrë mjekim. Dy fëmijët 3 dhe tjetri 6-vjeçar mësohet se kanë vetëm babanë, një rom i alkoolizuar prej vitesh, i cili asnjëherë nuk është interesuar për fëmijët edhe pas vdekjes së gruas tre vjet më parë, në lindjen e vogëlushit A.R. Ndërsa dy të tjerët ishin fqinj me njëri-tjetrin, në lagjen rome në Drizë të Fierit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›