E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët flasin për Evropën

Nga Express më 13 prill 2011 në ora 21:46

Projekti i “Ligjëratës Njëditore të BE-së” (12 prill – 15 maj 2011) është nismë e zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës dhe si traditë çon diplomatët në shkollat fillore dhe të mesme në javët para dhe pas Ditës së Evropës, që është më 9 maj.

Bisedat u japin mundësi nxënësve të shkollave të Kosovës që të diskutojnë rreth BE-së dhe mundësive e sfidave të Kosovës në procesin e integrimit evropian drejtpërsëdrejti me përfaqësuesit e shteteve anëtare dhe të pranive të BE-së në Kosovë.

Pieter Feith, përfaqësues special i BE-së, me këtë rast tha:
“Ne duam t’i nxisim të rinjtë e Kosovës që të bëhen tani partnerë për të ardhmen evropiane. Gjatë një muaji ambasadorët e BE-së dhe përfaqësuesit e institucioneve të BE-së në Kosovë do të angazhohen në diskutime me nxënësit e shkollave në mënyrë që ata të marrin më tepër njohuri rreth perspektivës evropiane të Kosovës. Në këtë mënyrë fëmijët dhe të rinjtë mund të bëhen që sot pjesë aktive e qëllimit të përbashkët”.

Ndërsa Ramë Buja, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, tha se “Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë është orientuar fuqishëm në krijimin e një sistemi arsimor, i cili përmbush kërkesat dhe standardet evropiane me synimin e qartë që arsimi të jetë në shërbim të ekonomisë, civilizimit dhe demokracisë. Integrimi i plotë në Evropë është edhe vetë mision i Qeverisë së Kosovës, prandaj MASHT-i synon arsimimin e të rinjve në frymën e Evropës së Bashkuar.”

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›