E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët hanë keq, shteti ndryshon dietat në kopshte

Fëmijët shqiptarë nuk ushqehen siç duhet. Që në moshë të vogël konsumohen ushqimet e quajtura “bomba kalorike” dhe evitohen ato të nevojshme për një zhvillim normal. 

zirina llambro

Pas shumë studimeve, nga të cilat rezulton se të vegjlit janë të kequshyer, Ministria e Shëndetësisë ndërmerr një nisëm të re. Udhëzuesi dietik i hartuar në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Ushqimit do të ndryshojë dietat për të gjitha çerdhet, kopshtet dhe shkollat me konvikte. “Qëllimi i udhëzimit është përmirësimi i gjendjes, pasi deri më tani fëmijët janë kequshqyer duke marrë më pak kalori se sa nevojiten”, deklaroi dje gjatë një konference për shtyp drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja. Sipas tij, për rrjedhojë është vënë re një rritje e numrit të fëmijëve obezë në vendin tonë. “Pasojat e kequshqyerjes sjellin peshë të vogël në një moshë të vogël dhe më pas në moshat e mëdha shtohet risku për obezitet”, u shpreh Bejtja. Në udhëzuesin jetik janë parashikuar të gjitha llojet e ushqimeve që duhet të konsumohen sipas grupmoshave. Në të janë përcaktuar gjithashtu edhe nevojat ditore energjetike që kanë fëmijët deri në moshën 12 vjeç. Por, ndërsa rekomandimet do të vendosen në praktikë, në kopshte e çerdhe pritet të rritet kostoja e shërbimit në këto institucione. Ç’ka do të thotë se brenda një kohe të shkurtër edhe tarifat mujore që prindërve u duhet të paguajnë do të shtohen. Por për këto ndryshime nuk përgjigjet Ministria e Shëndetësisë, por institucionet e qeverisjes vendore. Udhëzuesi dietik i përgatitur në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit do t’i rekomandohet të gjithë popullatës, me qëllim pakësimin e sëmundshmërisë akute me origjinë ushqimore. Veç kësaj, me anë të tij parandalohen edhe një sërë sëmundjesh, si ato kronike, që shfaqen në moshë të madhe, si hipertensioni, sëmundjet kardio-vaskulare, diabeti apo kanceri.

Nevojat energjetike ditore

Mosha         Kacal/24 orë
1-2 vjeç            1100 kalori
2-3 vjeç         1250 kalori
3-4 vjeç         1400 kalori
4-6 vjeç         1600 kalori
6-8 vjeç         2000 kalori
8-10 vjeç         2200 kalori
10-12 veç         2500 kalori

Proteina         15%
Karbohidrate         55-60%
Yndyrna         25-30%

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›