E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama takim tek Alibeaj, akuza: S‘preket imuniteti

 

Trashgim Sokolaj

Kryeprokurorja Ina Rama zhvilloi dje një takim me ministrin e Drejtësisë Alibeaj, i cili është akuzuar së fundi nga prokurorët për përgatitjen e një projektligji që cenon statusin kushtetues të organit të akuzës. Takimi mes zyrtarëve të dy institucioneve është zhvilluar paraditen e djeshme me kërkesën e ministrit të Drejtësisë Alibeaj, ndërsa zyrtarisht, Prokuroria e Përgjithshme dhe dikasteri i drejtësisë, nuk bënë komente mbi temën e diskutimeve. Sipas burimeve jozyrtare nga të dy institucionet, tema qendrore e bisedës mes kryeprokurores Ina Rama dhe ministrit Alibeaj ka qenë projektligji për “organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”, megjithatë dy zyrtarët kanë biseduar edhe për çështje të tjera, që kanë të bëjnë me ekstradimet dhe ndjekjen penale dhe proceset gjyqësore. Ministri i Drejtësisë Alibeaj publikisht ka deklaruar vullnetin e tij për të hequr imunitetin e prokurorëve, për të parashikuar në ligj shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm në rast se ndaj tij ngrihet akuzë nga vartësit për vepra të rënda penale. Një qëndrim i tillë i Ministrit dhe futja e kësaj fryme në projektligjin për Prokurorinë, ka ndeshur në reagimin e ashpër të prokurorëve, por edhe të misionit evropian të asistencës në drejtësi EURALIUS, madje edhe në kritikat e ashpra të një diplomati të rëndësishëm amerikan. Megjithatë, ajo që ende nuk është deklaruar publikisht për një qëndrim ndaj projektligjit të ri “për Prokurorinë”, është drejtuesja aktuale e këtij institucioni Ina Rama. Kryeprokurorja e cila pak ditë më parë është kthyer nga takimi i Asamblesë së Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve në Singapor, ende nuk ka bërë publik qëndrimin e saj rreth projektligjit të ri “për Prokurorinë”. I cili mesa duket është dërguar në Qeveri kohët e fundit dhe pas reagimeve nga diplomatët e huaj dhe misionet ndërkombëtare, por edhe nga vetë prokurorët, duket se do të ripunohet. Është i paqartë qëndrimi që Ina Rama ka mbajtur rreth projektligjit gjatë takimit të djeshëm me ministrin e Drejtësisë. Megjithatë, ky i fundit, mësohet se ka ftuar një përfaqësi të Prokurorisë për diskutime mbi projektligjin. Siç konfirmojnë burimet takimi pritet të mbahet ditën e hënë, ndërsa prokurorët shpresojnë të arrijnë në një përfundim mbi heqjen nga drafti të nenit, që parashikon “zhveshjen” e tyre nga imuniteti formal që ata kanë. “Nëse nuk hiqet nga drafti, pjesa që siç kemi mësuar, parashikon heqjen e imunitetit të prokurorëve, diskutimet e tjera nuk kanë shumë vlerë”, është shprehur dje kryeprokurori i Apelit Shkëlqim Hajdari, njëkohësisht sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve. Edhe prokurorë të tjerë që ushtrojnë detyrën e tyre në Shkallën e Parë dhe të Dytë në Tiranë, janë shprehur unanimisht kundër heqjes së imunitetit. Ata e konsiderojnë mbrojtjen simbolike që kanë si një siguri më tepër në përballimin e presioneve që vijnë nga lufta kundër kriminalitetit. Sipas prokurorëve, të cilët në të vërtetë përfaqësojnë institucionin e akuzës, imuniteti i tyre simbolik nuk ka qenë asnjëherë pengesë për ndëshkimin e abuzuesve, ndërsa i ka mbrojtur ata nga incidentet “e rrugës”. Sipas përfaqësuesve të akuzës procesi i hartimit të draftligjit për Prokurorinë nuk ka qenë transparent nga Ministria e Drejtësisë, për shkak se kjo e fundit nuk ka kërkuar mendimin e tyre dhe nuk ka përfshirë në draft idetë e dhëna më parë nga përfaqësuesit e Prokurorisë.

Neni 17 i projektligjit, “molla e sherrit”
TIRANE – “Neni 36 i ligjit aktual për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë, shfuqizohet”. Kjo është përmbajtja e nenit 17 të projektligjit të ri të Ministrisë së Drejtësisë “për Prokurorinë”, e cila është bërë “mollë sherri” për shkak të debateve me të cilat u pasua. Ministria e Drejtësisë e argumenton futjen e këtij neni me qëllimin për të barazuar prokurorët me të gjithë qytetarët e tjerë përpara ligjit. Ndërsa prokurorët pretendojnë se imuniteti që kanë është simbolik krahasuar me imunitetet e tjera të deputetëve apo gjyqtarëve. Sipas prokurorëve, heqja e imunitetit të tyre i hap rrugë ndalimit, arrestimit, përgjimit dhe kontrollit mbi ta nga policia gjyqësore, e cila nga ligjet e tjera të shtetit parashikohet si organi zbatues i “urdhrave dhe vendimeve”, që marrin prokurorët gjatë hetimit të çështjeve penale. Sipas prokurorëve, parashikimi për heqjen e imunitetit dhe pezullimin e tyre nga puna në rast se Prokuroria e Shkallës së Parë të një rrethi regjistron procedim penal ndaj tyre, është zhvendosje në statusin kushtetues të organit të akuzës.                                                                t.s

Takimi edhe për gjykatën e re
Sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria, gjatë takimit të djeshëm mes ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe kryeprokurores Ina Rama, është folur për riorganizimin e ri të gjykatave, vendosjen e Gjykatës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda në një godinë të përbashkët të re dhe ndarjen e Gjykatës së Tiranës në seksione të veccanta civile dhe penale.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›