Xhafaj: Komision ad-hoc për ligjin e spiunëve
Partia Socialiste propozon një komision të posaçëm parlamentar për hartimin e një ligji të ri konsensual për hapjen e dosjeve në Shqipëri. Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, ka bërë publike kërkesën më të fundit të opozitës për të realizuar miratimin e këtij ligji me konsensus, përmes një skeme të posaçme. “Për të mundësuar hartimin e një ligji të standardeve evropiane, ne propozojmë ngritjen e menjëhershme të një grupi pune ad-hoc kuvendor me përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare dhe me asistencën ligjore të Këshillit të Evropës e të OSBE-së”, deklaroi Xhafaj. Ish-ministri i Drejtësisë theksoi se, “ne mirëpresim dhe e vlerësojmë pozitivisht shprehjen e angazhimit të këtyre institucioneve ndërkombëtare shumë të respektuara për të ofruar ekspertizën e tyre ligjore në këtë proces”. “Shpresojmë që kjo gatishmëri e shprehur publikisht prej tyre të gjejë vlerësimin dhe mbështetjen e sinqertë edhe të grupeve të tjera parlamentare dhe veçanërisht të përfaqësuesve parlamentarë të Partisë Demokratike”, shtoi Xhafaj. Për socialistët miratimi i ligjit nëpërmjet këtij procesi konsensual, transparent e ligjor do të kontribuojë gjithashtu të mbyllë përfundimisht këtë debat që vazhdon për vite të tëra të konsiderohet instrument politik në duart e disa politikanëve të frymës së vjetër të mbajtur peng ndaj së kaluarës, të paaftë për t’ju zgjidhur shqiptarëve çështjet e së tashmes dhe të ardhmes së tyre. “Demagogjia e fjalës dhe e veprimit të lidershipit politik të maxhorancës, pengje të së shkuarës, nuk mund dhe nuk duhet kurrsesi të vazhdojë të mbajë peng të ardhmen e shqiptarëve, të zhvendosë nga axhenda politike debatin e shëndoshë të shoqërisë sonë për sfidat e mëdha të integrimit euroatlantik, për sfidat e mëdha në rrugën për një mirëqenie më të mirë ekonomike e sociale të shqiptarëve, që përditë e më shumë përballen me varfërinë, papunësinë dhe pasigurinë e jetës”, theksoi Xhafaj.