E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi e Leskaj: Qeveria bllokon ligjin e medias

 

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, fajësoi qeverinë për mosrealizmin e një ligji të posaçëm për median në Shqipëri. Në një prononcim për median, Xhufi deklaroi se, “miratimi i një ligji të tillë ishte një kusht i vënë nga BE-ja ndaj qeverisë për t’u realizuar në nëntor të vitit të kaluar, por maxhoranca dështoi”. “Qeveria nuk është e interesuar që të miratojë një projektligj për median në Shqipëri, pasi kërkon ta ketë në tutelë, t’i bëjë presione medias së shkruar dhe vizive”, theksoi Xhufi. Ndërsa kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj, ka bërë të ditur se “maxhoranca nuk po merr mundimin që të miratojë projektligjin për median, ku prej kohësh një draft integral gjendet në Komisionin parlamentar të Medias”. “Si kryetare e Komisionit parlamentar për Mediat, jam ndër nismëtaret dhe nxitëset për të hartuar një ligj integral për mediat elektronike, duke rakorduar me BE-në dhe Këshillin e Evropës për standardet e ligjit. Risjellja e çështjes së lirive të medias dhe lirive e të drejtave të njeriut është një kosto e madhe për proceset integruese. Qeveria, në vend që të kontribuojë në këtë kahje, jep mesazhe që shkojnë në kahje të kundërt”, deklaroi Leskaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›