Leka Zogu I, kërkon rikthimin e varrit të Nënës Mbretëreshë
TIRANE - Familja Mbretërore kërkon kthimin e varrit të Nënës Mbretëreshë. Me një kërkesë-padi të dorëzuar dje në Gjykatën e Tiranës Naltmadhëria Leka Zogu I, kërkon që Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave t’i kthejë familjes mbretërore sipërfaqen prej 6000 metër katrorë tokë e ndodhur përballë Fakultetit Filologjik në Rrugën e Elbasanit. Familja Mbretërore pohon në kërkesë-padi se i është drejtuar pak kohë më parë KKKP të kryeqytetit, por që andej ka marrë përgjigje negative. Përgjigjja për ta është argumentuar me pretendimin se prona e Familjes Mbretërore tashmë është kthyer në Park Kombëtar dhe si e tillë nuk mund të rikthehet. Por ndryshe nga kjo paditësit pohojnë se Parku Kombëtar e ka humbur tashmë destinacionin pasi në truallin e varrezave të familjes mbretërore ndodhen dy lokale private.
Familja Mbretërore, në vitet ‘30 ka blerë nga familja Toptani një sipërfaqe prej 6000 metër katrore në krah të rrugës së Elbasanit për ta përdorur për varrezë familjare. Disa vite më vonë aty u varros nëna mbretëreshë, për të cilën i biri, mbreti Ahmet Zogu ndërtoi një varr monumental. Më 17 nëntor 1944 gjatë çlirimit të Tiranës forcat partizane e bombarduan varrin, rrënojat e të cilit ende ndodhen aty. Ndërsa gjatë kohës së regjimit komunist kjo sipërfaqe u shtetëzua për t’iu bashkëngjitur asaj përreth dhe për t’u kthyer në Park Kombëtar. Kjo vazhdoi deri në fillim të viteve ’90 kur aty nisën të ndërtoheshin kioska. Por prishja e kioskave ia la vendin dy lokaleve në atë zonë, ndërkohë pak vite më parë Familja Mbretërore kërkoi rikthimin e sipërfaqes prej 6000 metër katrorë, të cilën do ta përdorin si varrezë familjare. Tashmë vendi ku ndodhet varri i nënës mbretëreshë ka mbetur në mëshirë të fatit ku shkurre dhe ferra të shumta kanë pushtuar gjithë sipërfaqen, çka sipas burimeve, detyron Familjen Mbretërore që të kërkojë moralisht rikthimin e pronës. Padia e Familjes Mbretërore pas depozitimit në sekretarinë e Gjykatës së Tiranës nga avokati i zgjedhur nga Leka Zogu I, iu nënshtrua procedurave të shortit elektronik, ku u përzgjodh gjyqtarja Mimoza Kajo për ta shqyrtuar atë. Pasditen e djeshme padia iu dorëzua kësaj gjyqtareje, e cila pritet që të caktojë datën e parë për zhvillimin e gjyqit pas dy javësh. Objekti i padisë është: “Prishje e vendimit të Komisionit të Kthimit e Kompensimit të Pronave, në lidhje me sipërfaqen 6000 metër katrorë, ku ndodhet varri i Nënës Mbretëreshë. Kjo sipërfaqe t’i rikthehet pronarit të ligjshëm që është Familja Mbretërore”. fa.ma.