Gurakuqi: Tryezë për reformën mes të djathtëve
Kreu i PDK-së, Anton Gurakuqi, ka kërkuar inicimin e një tryeze me të gjitha partitë politike të së djathtës për të diskutuar mbi reformat madhore në vend, si zgjedhore dhe ajo e drejtësisë. Në një deklaratë për median, Gurakuqi deklaron se, “PDK-ja gjykon se tryeza e partive, e cila duhet të jetë në rang kryetarësh, duhet të trajtojë çështjen e reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi, si dy nga reformat që përbëjnë shtyllën në procesin e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë, si dhe për ndërtimin e një shteti ligjor të konsoliduar”. “PDK vlerëson se diskutimi në tryezë i reformës zgjedhore do të bëjë të mundur që koalicioni i qendrës së djathtë të dalë me një qëndrim të përbashkët për këtë çështje, ku secila parti të bëjë propozime brenda tryezës, në lidhje me Kodin e ri Zgjedhor”, deklaroi Gurakuqi. Gjithashtu kjo parti gjykon se në këtë tryezë duhet diskutuar çështja e miratimit të ligjit për hapjen e dosjeve.