Fëmijët jashtë martese, trajtim si të tjerët
Për herë të parë në vendin tonë, fëmijët e lindur jashtë martese do të jenë më të mbrojtur ligjërisht. Për rrjedhojë, fëmijët e lindur jashtë martese do të mund të kenë të gjitha të drejtat që ka një fëmijë i lindur brenda martese. Ndonëse në nenin 54 të saj, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon një mbrojtje të tillë, shumica e këtyre fëmijëve në vendin tonë kanë një disavantazh juridik dhe ligjor. Kryesisht problemet hasen në praktikë me njohjen e atësisë, por dhe me të drejtën e trashëgimisë, e cila me aderimin e Shqipërisë në Konventën e Këshillit të Europës, tashmë do të jetë automatikisht e barabartë për dy kategoritë e fëmijëve. Konventa u miratua dje në parim në Komisionin e Punës, ndërsa pritet dhe shqyrtimi nen për nen i saj. “Statusi përmbledh dy linja kryesore, përgjegjësinë prindërore në kuadër të njohjes së mëmësisë dhe atësisë, dhe në rastin e fëmijëve të lindur jashtë martese respekton rregullat bazë dhe nuk bën asnjë lloj diskriminimi në trajtim të këtyre fëmijëve, si dhe flet edhe për të drejta të natyrës civile, duke vënë fokusin për ilustrim tek të drejtat e trashëgimisë, ku nuk bëhet më asnjë diferencim midis fëmijëve të lindur jashtë martese dhe ata të lindur brenda martese”, - pohon Marsida Kadillari, drejtoreshë e përgjithshme e kualifikimit në Ministrinë e Drejtësisë. Në Konventën e Këshillit të Europës mbi statusin juridik të fëmijëve të lindur jashtë martese aderojnë disa shtete, mes të cilëve dhe fqinjët tanë Italia dhe Greqia.