E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuhë-Letërsia, ngujohen hartuesit e tezës, godina 24 orë me policë

SHKRUAN: Jonida Tashi 26-05-2011 11:13

Nis hartimi i tezës së parë të katër provimeve me detyrim të Maturës, që është ai i Gjuhë-Letërsisë. Ditën e djeshme janë “ngujuar” në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP) hartuesit e tezës së provimit të Gjuhë-Letërsisë, të cilit, maturantët në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen në ditën e parë të muajit qershor. I pranishëm në momentin e ngujimit të specialistëve, zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata u shpreh se hartuesit do të largohen nga ambientet, ku do të qëndrojnë 7 ditë vetëm pasi të ketë filluar provimi në datën 1 qershor. Në bazë të rregullores, hartuesit e testit nuk do të kenë asnjë komunikim me askënd jashtë godinës, me përjashtim të rasteve emergjente, ku të vetmit persona me të cilët mund të flasin janë ministri i Arsimit dhe zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata. Ky i fundit tregon dhe detajet rreth procesit të hartimit të tezave. “Janë dy hartues që ngujohen dhe që ndihmojnë njëri-tjetrin. Pas kësaj, përzgjedhin testin, ndërkohë që ofrohet një bankë pyetjesh. Teza shkon bashkë me testet dhe kalon pastaj në qendrat e provimit. Sot, unë i kam sjellë drejtoreshës së Agjencisë së Provimeve një numër telefoni të mbyllur që e ka vetëm ajo dhe komunikon me ministrin dhe zëvendësministrin në raste emergjente. Për shembull, nëse ka një problem blackout-i, një problem teknik. Vetëm drejtoresha ka një numër”, - tha Shamata. Ndërsa përgjegjësi i sektorit të monitorimit dhe vlerësimit të vlerave dhe cilësive në MASH, Ndriçim Mehmeti, në një prononcim në Ministrinë e Arsimit i kërkoi shkollave që të ofrojnë të gjithë asistencën ndaj maturantëve. Sipas Mehmetit, testi i Letërsisë do të përmbajë pyetje vetëm brenda programit dhe do të jetë një test mesatar. Sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Arsimit, përzgjedhja e testit për secilin nga provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2011 do të kryhet nga specialistë të caktuar prej ministrit të Arsimit, të cilët emërohen përzgjedhës të testit përfundimtar (PTP) në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit, brenda ambienteve të izoluara të Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP). Pas përzgjedhjes së testit, do të kryhet shumëfishimi dhe paketimi i testbroshurave nga AKP. Ndërkaq, periudha kohore e ekspozimit potencial të sekretit (KOEPS-eve) për lëndën “Gjuhë shqipe dhe Letërsi” do të jetë nga 25 maj–01 qershor 2011. Lista e punonjësve të AKP-së, të cilët do të përfshihen në KOEPS për secilën periudhë, do të miratohet nga drejtori i përgjithshëm i AKP-së. Këtë vit, ndryshe nga më parë, specialistët e lëndëve përkatëse në AKP do të futen në KOEPS një ditë më pas nga datat e përcaktuara. Ata hartojnë së bashku me PTP skemat e vlerësimit të testeve dhe ndihmojnë më tej proceset e tjera të formatimit, shumëfishimit dhe shpërndarjes së testeve. Provimit të parë të Maturës do t’i nënshtrohen rreth 43 mijë maturantë, në të gjithë vendin. Këtë vit, risi është se vlerësimi do të behët edhe në qytetin e Korçës, ndërkohë që korrigjimi do të jetë sërish me dorë nga tre gupe vlerësuesish njëri pas tjetrit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›