E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni turistik, masat që do të merren për pushuesit

Si çdo fillim sezoni turistik në vendin tonë, institucionet përforcojnë rregullat në zonat e plazheve. Masat me imediate kanë të bëjnë me kontrollet për cilësinë e ujit të pijshëm, sistemimin e kanalizimeve, me qëllim që të mos derdhen ujërat e zeza në dete apo liqene, por dhe për baret dhe restorantet, të cilat nuk duhet të shqetësojnë pushuesit pas mesnatë me muzikë. “Kanë nxjerrë disa detyra prioritare. Kjo konsiston në kontrollin e përditshëm, që nga burimi deri te pika fundore, pra rubineti i ujit të pijshëm. Në kontrollin e shkarkimit të ujërave të zeza nëpër plazhe, ujërat e zeza që derdhen nëpër dete, me problemet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave të ngurta urbane”, - tha Arben Luzati, drejtor i Mjedisit dhe Shëndetit në ISHP. Një sërë masash janë marrë dhe në drejtim të shëndetit të pushuesve, për të cilët edhe këtë vit është menduar, që urgjencat të qëndrojnë të hapura 24 orë dhe të dyfishohet personali shëndetësor. “Ka një udhëzim të ministrit që për sezonin turistik drejtoritë e Shëndetit Publik në rrethe marrin shtesa edhe në organigramë, dhe angazhojnë punonjësit e tyre që të shërbejnë 24 orë non stop që t’u shërbejnë emergjencave, qoftë për probleme sëmundjesh, ashtu edhe mjedisi”, - pohon Luzati. Vitin e shkuar, shumë bare dhe restorante, por dhe drejtues të drejtorive të Shëndetit Publik nëpër rrethe, të cilët nuk zbatuan rregullat e përcaktuara nga institucionet qendrore mjedisore dhe shëndetësore u penalizuan me gjoba dhe me paralajmërim për pezullim nga detyra. Ndërkaq janë përcaktuar edhe oraret e funksionimit të lokaleve të natës si dhe të gjitha subjekteve që gjenerojnë zhurmë dhe ndotje akustike, përtej normave te lejuara, dhe konform standardeve të OBSh. Kështu, për ambientet e hapura, për ditën e premte dhe të shtunë, orari i lejimit të aktivitetit, do jetë nga ora 19.00 deri në orën 24.00, ndërsa për ditët e tjera të javës, orari i lejimit të aktivitetit do të jetë nga ora 19.00 deri në orën 23.00, duke respektuar nivelin e lejuar të zhurmës të përcaktuar. Për ambientet e mbyllura, aktiviteti do të lejohet pa kufizime orari, por përsëri duke respektuar nivelin e lejuar të zhurmës të përcaktuar. Sanksionet ndaj subjekteve që shkelin ligjin janë gjoba që variojnë nga 2 milionë lekë, deri në pezullim të aktivitetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›