Fëmijët me aftësi të kufizuara, Kontratë me prindërit për shërbimet
Fëmijët me aftësi të kufizuara, të cilët trajtohen prej shumë vitesh në Qendrat e Zhvillimit për Persona me Aftësi të Kufizuara (PAK) dhe që ndërkohë nuk kanë marrë zhvillimin e duhur, konsiderohen një problem nga Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH).
"Ky është përcaktuar si problem që kërkon zgjidhje imediate, pasi në Qendrat e Zhvillimit për PAK gjenden fëmijë që kanë të paktën 5-10 vjet në këto institucione, ndërkohë që nuk kanë marrë zhvillimin e pritshëm", - u shpreh drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naço.
Sipas tij, “SHSSH-ja ka përcaktuar si detyrë parësore përpilimin e një kontrate me prindërit (e fëmijëve me aftësi të kufizuar) dhe përfshirjen e tyre në pagesat për shërbimet që u ofrohen fëmijëve.
Problemi i largimit të fëmijëve që nuk marrin më zhvillim nga qendrat e zhvillimit, po ndiqet në vazhdimësi. Në këtë kuadër, është bërë i mundur kthimi në familjet biologjike i 15 fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke krijuar kështu hapësira për frekuentimin e qendrave tona nga persona me AK të moshave të hershme, për t’u dhënë atyre mundësinë e zhvillimit dhe integrimit të aftësive të tyre në veprimtarinë e përditshme”, - tha Naço.
"Kjo do të realizohet në bazë të vlerësimit të të ardhurave nga punonjësi social në bashkëpunim dhe me komisionin qendror për futjen e klientëve në institucione", - shpjegoi Naço, sipas të cilit, nga vëzhgimi i punës së SHSSH-së evidentohet si domosdoshmëri jo vetëm arsimimi i këtyre personave në shkolla speciale, por dhe edukimi i tyre me ndjenjën e punës, socializmit midis tyre, duke zbatuar metodën e ergoterapisë (që zhvillohet në laboratorët e qendrave të zhvillimit).