Fëmijët me aftësi të kufizuara. Pas dëbimit nga Qendra, shteti jep pagesë paaftësie
Jonida Tashi
Fëmijët me aftësi të kufizuara, që do të “dëbohen” nga qendrat e zhvillimit, do të përfitojnë ndihmë nga shteti sipas dëmtimeve që kanë. Kjo do të thotë se pagesa që do të marrë familja e secilit prej tyre do të jetë e diferencuar sipas rastit. Burime zyrtare nga Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH) bëjnë të ditur se pas kthimit në familje, në bazë të rregullave këta fëmijë duhet të përfitojnë pagesë paaftësie sipas dëmtimeve. Megjithëse Shërbimi Social Shtetëror ka marrë vendimin për largimin e 16 fëmijëve me aftësi të kufizuar nga qendrat e zhvillimit, ende ky institucion nuk ka përcaktuar konkretisht se sa lekë do të përfitojnë këta fëmijë nga shteti. Nga burime të tjera mësohet se pagesa që do të marrin fëmijët me aftësi të kufizuar pas largimit nga qendra do të jetë rreth 70 për qind e shumës së lekëve që fëmija ka shpenzuar gjatë kohës së qëndrimit në qendër.
Largimet
Gjatë vitit 2009 pritet të dalin nga qendrat e zhvillimit po aq fëmijë sa u larguan gjatë 2008-s, pra rreth 16. Burime nga SHSSH-ja shpjegojnë se 16 fëmijët që u larguan gjatë vitit të kaluar qenë të mbledhur në disa vite. Pas marrjes së vendimit për largimin e fëmijëve që nuk përmirësohen për një periudhë 10-vjeçare në qendër, specialistët e SHSSH-së po punojnë për evidentimin e rasteve të reja. Kërkesat e shumta të familjeve të tjera për dërgimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në qendra kanë bërë që në këto të fundit të rishikohet zhvillimi që ka pësuar fëmija gjatë kohës së qëndrimit në qendër. Gjatë vitit 2008, janë pranuar në institucione publike dhe jopublike me Vendim Komisioni 43 klientë (15 në institucionet publike dhe 28 në ato jopublike). Aktualisht, në vendin tonë trajtohen 487 persona me aftësi të kufizuar (338 në institucione publike, 79 ditore, 149 në OJF-të).
Kontrata
Largimi i fëmijës nga qendra dhe kthimi i tij për në shtëpi do të realizohet përmes një kontrate me prindërit (e fëmijëve me aftësi të kufizuar) dhe përfshirjen e tyre në pagesat për shërbimet që u ofrohen fëmijëve. Aktualisht po përcaktohen dhe detajet përkatëse në lidhje me kalimin e tyre në kujdesin familjar, ku do të ofrohet edhe aty asistencë e specializuar. Ndërsa familjet e fëmijëve që do të kthehen në to do të marrin një pagesë të posaçme për trajtimin e mëtejshëm të fëmijëve në familje. Ndërkohë që do të vijohet dhe me ciklet e trajnimit dhe rritjes së kulturës profesionale të tyre në mënyrë të tillë që pas marrjes së fëmijëve në shtëpi të ofrohet kujdesi i duhur njësoj si në Qendër. Në të gjithë vendin janë rreth tetë Qendra të Zhvillimit për personat me aftësi të kufizuar që ofrojnë trajtimin dhe edukimin e fëmijëve me probleme.
Pagesa e paaftësisë sipas grupeve
Pagesa e paaftësisë për një person sipas grupeve që trajtohen (tetraplegjikë, paraplegjikë, të verbër) është si më poshtë:
Grupi i parë (para e tetraplegjikë)
8 700 lekë në muaj për person
8 700 lekë në muaj për kujdestarin
12 mijë lekë në muaj për paketën higjieno-sanitare
Grupi i dytë (para e tetraplegjikë)
8 700 lekë në muaj për person
Të verbrit
Grupi i parë
8 700 lekë në muaj për person në muaj
8 700 lekë në muaj për kujdestarin
Grupi i dytë
8 700 lekë në muaj për person
30 Janar 2009