QSUT-ja, në kolaps financiar edhe këtë vit
Emanuela Sako
Kolapsi financiar në QSUT do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti. Ky është parashikimi që është bërë nga drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, në analizën vjetore të këtij institucioni. Drejtoresha Kuli paraqiti problematikën me të cilën është përballur gjatë këtij viti dhe situatën financiare. Sipas saj, janë shlyer një pjesë e borxheve që kanë pasur spitalet, por ende janë rreth 10 milionë lekë borxhe, për të cilat nuk dihet ende se kur do të përfundojnë. Situata e borxheve është e pashmangshme, pasi nevojat për medikamente janë të mëdha dhe nga viti në vit lind nevoja për blerjen e tyre. Detyrimisht shpenzimet e mëdha do të jenë për furnizimin me medikamente dhe ka më pak mundësi për shlyerjen e tyre. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, vuri në dukje se buxheti i Shëndetësisë është rritur nga vit në vit dhe nga rreth 18 miliardë lekë në 2005-n, këtë vit ka arritur në rreth 25 miliardë lekë.
Situata
Një pjesë e madhe e tenderave për pajisjen e spitaleve me medikamente janë kryer, mirëpo nevoja për ilaçet në këtë qendër spitalore lind herë pas here. Duke pasur parasysh situatën e krijuar gjatë 2008-s dhe mungesat e shumta që kanë pasur spitalet, duket se është ende e vështirë që spitalet të mos përballen më me borxhe. E vetmja mundësi është që qeveria të parashikojë në ligj mënyrën e faljes së borxheve për të gjitha spitalet dhe shtrirjen e skemës së Sigurimeve Shëndetësore. Reforma parashikon që të gjitha spitalet e vendit duhet të futen në skemën e sigurimeve pa borxhe dhe alternativa e zgjidhjes së çështjes do t’i takojë Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë. Kuli është shprehur se që në fillim të këtij viti QSUT-ja ka qenë në kolaps për shkak të problemeve të gjithanshme në spitale, të cilat po i vuajnë ende si pacientët, ashtu dhe mjekët. Ndërkohë që drejtoresha shprehet se kriza është kapërcyer nëpërmjet donacioneve (rreth 20 të tilla), ndihmës nga Ministria e Shëndetësisë, spitaleve të tjera etj.
Vizitat
Një çështje e rëndësishme dhe problematike është evidentuar në kryerjen e konsultave, ku vihet re se ka pasur mjaft vizita, por mjekët nuk i kanë raportuar të gjitha rastet. Për këtë arsye, çështja e konsultave është quajtur si sektori më i dobët. Përsa i përket sëmundjeve, është vënë re se tumoret zënë vend të konsiderueshëm, 13 000 raste. Ndër 20 diagnozat më të shtrenjta, 3299 raste i përkasin kancerit të gjirit dhe 1664 raste kataraktit. Operacionet e kryera në këtë qendër në total llogariten të jenë 18 190, ndër të cilat 9010, apo 50 për qind e totalit, u përkasin 20 operacioneve më të shtrenjta.
Çështjet
QSUT-ja, 10 milionë lekë borxh
Shtimi i tumoreve, 13 mijë raste në vit
Abuzimi me mosraportimin e numrit të konsultave nga mjekët
Rreth 84 punonjës tepër në organikë. Nis shpërndarja në pavijone
Aktualisht në farmacinë e QSUT-së ndodhen gjendje 406 371 008 lekë medikamente
Janë të punësuar 2493 punonjës, prej të cilëve 299 mjekë dhe 86 kryeinfermierë
Operacionet e kryera në këtë qendër, në total llogariten të jenë 18190 operacione
Operacione të shtrenjta, 50 për qind e totalit
Buxheti i Shëndetësisë është rritur nga vit në vit dhe nga rreth 18 miliardë lekë në 2005-n, këtë vit ka arritur në rreth 25 miliardë lekë
Aktiviteti në QSUT, në 50 për qind të rasteve, përbëhet nga raste nga rrethet
30 Janar 2009