E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali në qendrat sociale, hetime në Ministrinë e Punës

Dikasteri mbuloi për dy vite skandalin pas shumë sinjalizimeve. Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Beratit bashkëpunojnë për hetimet

Habjon Hasani

Tiranë - Abuzimi me fondet në shtëpinë e fëmijëve të ngujuar në Poliçan duket se nuk është thjesht dhe vetëm një histori “inatçore” mes dy drejtorëve, por një histori e gjatë abuzimesh me fondet. Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet përkrah Prokurorisë së Beratit lidhur me abuzimin dyvjeçar të fondeve në këtë qendër, ndërsa burime nga organi i akuzës kanë pohuar se i njëjti fenomen vlen edhe për të tjera qendra sociale. Të paktën në rastin e qendrës së Poliçanit prokurorët janë të mendimit se ka shumë gjasa që të ketë qenë Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale ajo që për dy vite ka lënë në degradim gjendjen këtu duke u shkelur të gjitha rregullat dhe ligjet në fuqi. Këtij pretendimi i janë shtuar edhe disa konstatime të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Auditit të Brendshëm, ndërsa dy punonjës të Ministrisë në Tiranë do të merren në pyetje lidhur me gjithë procedurën ligjore që ata kanë ndjekur në këto dy vite. Gjithsesi, dy ditë më parë, Ministria e Punës ka reaguar pas gjendjes dramatike në të cilën u shfaqën fëmijët e ngujuar që strehohen në një qendër rezidenciale në Poliçan. Sipas këtij institucioni, shkak i një situate të tillë të manipuluar është bërë drejtuesja e shoqatës, Liliana Luani, e cila po pengon emërimin e drejtorit të ri në këtë qendër me pretendimin se duhet të jetë ajo drejtoresha e saj.
Bllokimi
“Me qëllim zhbllokimin e situatës së krijuar në qendër prej Liliana Luanit dhe për krijimin e kushteve më të mira për trajtimin dhe mirërritjen e fëmijëve, Ministria e Punës dhe Shërbimi Social Shtetëror po marrin masa për fillimin menjëherë nga puna të drejtorit të ri për realizimin e detyrave për stabilizimin dhe funksionimin normal të qendrës”, - konfirmojnë përfaqësuesit e ministrisë. Ndërsa theksojnë se Luanit i është bërë me dije se nuk mund të jetë drejtuese e kësaj qendre përsa kohë që ajo nuk banon në qytet dhe është e punësuar në Shkodër, por ajo dhe shoqata e saj mund të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Shërbimin Social Shtetëror për lidhjen me prindërit dhe realizimin e proceduarve ligjore për sistemimin e fëmijëve në këtë qendër.
Ministria
Qendra Rezidenciale e Shërbimeve Sociale për Fëmijët e Ngujuar në Poliçan administrohet nga Shërbimi Social Shtetëror, ka statusin e një institucioni kombëtar dhe ka përgjegjësi për fëmijët që vuajnë pasojat e gjakmarrjes. “Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror fillimisht komandoi një drejtor dhe më 22 janar të 2009-s emëroi drejtuesin e ri të kësaj qendre. Në këtë moment, drejtuesja e shoqatës, Liljana Luani, në mënyrë arbitrare pengon realizimin e detyrës nga drejtori i ri, duke tentuar manipulimin e fëmijëve me pretendimin që duhet të jetë vetë ajo drejtuese e kësaj qendre”, - shprehen përfaqësuesit zyrtarë të Ministrisë së Punës. Ata shtojnë se duke filluar nga muaji dhjetor, kur qendra i ka kaluar në administrim dhe drejtim Shërbimit Social Shtetëror, ajo është mbështetur financiarisht për të gjitha nevojat me veshmbathje, ushqim etj. për krijimin e kushteve normale për jetesën e fëmijëve.

Reagon drejtori i Shërbimit Social: “Pse Qendra mbeti pa lekë”

“Qendra Kombëtare për Trajtimin e Fëmijëve të Ngujuar është gjendur në probleme financiare, pasi vendimi i qeverisë, i marrë në muajin dhjetor, nuk është shoqëruar me buxhetin përkatës. Kështu ka deklaruar ditën e djeshme drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Social Shtetëror (SHSSH), Mihal Naço. “Përderisa vendimi i qeverisë nuk shoqërohej me buxhetin përkatës, gjatë muajit dhjetor, për përballimin e nevojave për ushqim të fëmijëve janë akorduar nga buxheti i SHSSH-së 200 mijë lekë të reja”, - shprehet Naço. Sipas tij, në fund të muajit dhjetor, fëmijët janë pajisur me veshmbathje dimërore të reja: këpucë, xhupa, pulovra, pantallona, etj. falë bashkëpunimit të Shërbimit Social Shtetëror me shoqatën “Shpresë për Botën”. Gjithashtu, drejtori i SHSSH-së bën të ditur se në fillim të janarit nga buxheti i shtetit është akorduar për qendrën fondi prej 3.3 milionë lekësh për përballimin e nevojave për ushqim dhe veshmbathje të fëmijëve, që trajtohen aktualisht në këtë qendër. Drejtori i Shërbimit Social u bën apel familjeve të fëmijëve që janë në gjakmarrje që të rikthejnë fëmijët në qendër, pasi, sipas tij, ajo është funksionale. Qendra e vetme në vend e përkujdesit social për fëmijët e prekur nga gjakmarrja ka marrë statusin e Qendrës Kombëtare pas daljes së VKM-së 1324, datë 1.10.2008, në bazë të të cilit ajo u shpall si qendër kombëtare dhe u bë kalimi i godinës së ish–spitalit Poliçan në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror. Më datën 7 nëntor 2008, kryeministri Sali Berisha firmosi Urdhrin Nr. 141 për miratimin e strukturës dhe të organikës së SHSSH-së të ndryshuar. Shërbimi Social Shtetëror, me Vendim Bordi Nr. 100/7, datë 10.04.2008, ka miratuar ngritjen e Qendrës për Trajtimin e Fëmijëve të Ngujuar në Poliçan.

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›