E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata vendos masën e arrestit për vrasësin e nënës së Lul Cakës

FIER - Gjykata e Fierit ka dhënë dje masën e sigurisë "arrest me burg" për Fatmir Eminin, të akuzuar për rrëmbim, përdhunim dhe vrasje të nënës së Lul Cakës. 

Emini, i njohur ndryshe si Mile Cami, e ka pritur me gjakftohtësi këtë komunikim duke mos shprehur aspak interes kundrejt kësaj akuze. Ai është sjellë nga burgu i Rrogozhinës, ku po kryen dënimin për një tjetër vrasje, në masa tepër të larta sigurie. Pasi ka dëgjuar të gjitha palët si organin e akuzës ashtu edhe atë të palës mbrojtëse trupi gjykues është tërhequr për të marrë vendimin, i cili ka dhënë masën "arrest me burg" për Eminin. Sipas policisë, 9 vite më parë Emini, në bashkëpunim me Bledar dhe Artan Yzerin, kanë rrëmbyer dhe më pas torturuar dhe vrarë Xhavrie Cakën, nënën e Lul Cakës. Ngjarja ka ndodhur kur nëna e Cakës kishte ardhur për të takuar të birin, i cili ndodhej në ambientet e komisariatit të policisë së Fierit. Sapo ka dalë nga dera e komisariatit ajo është rrëmbyer nga vëllezërit Yzeri dhe më pas është dërguar në pyllin e Semanit ku priste Mile Cami. Burime të policisë kanë bërë të ditur se aty e moshuara është rrahur, përdhunuar e më pas qëlluar me armë zjarri. Pas dhënies së masës së sigurisë Fatmir Emini është shoqëruar sërish për në burgun e Rrogozhinës, i shoqëruar nga forca të shumta policore.     m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›