E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët romë s'figurojnë në Gjendjen Civile

 

KORÇË - Dramës së braktisjes nga prindërit të 22 fëmijëve romë në qytetin e Korçës, u shtohet dhe një tjetër, ajo e pamundësisë ligjore për asistencë, pasi nuk rezultojnë të regjistruar në zyrat e Gjendjes Civile. Arben Kosturi, përfaqësuesi i romëve pranë Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut për Korçën, pohon për gazetën se këta fëmijë të braktisur, lënë në mëshirën e fatit, nuk rezultojnë në "inventarin" e shtetit, pasi që në lindje nuk janë të regjistruar në zyrat e Gjendjes Civile. "Ata janë të moshave 5 deri në 12 vjeç, shumica e të cilëve nuk kanë as emër e as mbiemër. Janë të braktisur nga nënat e tyre për arsye të ndryshme apo janë produkt të martesave të jashtëligjshme. Kërkojmë që ata të merren menjëherë në mbrojtje nga shteti, pasi janë e po bëhen pre e trafikimit", - shton ai. Për këta fëmijë të harruar nuk bëhet fjalë për një jetë normale si bashkëmoshatarët, por emergjente mbetet mbijetesa. "Atyre u është privuar e drejta e shkollimit, madje e vaksinimit apo mjekimit, pasi nuk figurojnë askund të regjistruar dhe nuk kanë asnjë certifikatë identifikimi", - shton Kosturi. Numri i fëmijëve romë të Korçës që janë në vështirësi është shumë i madh, por për 22 prej tyre që nuk kanë identitet, duhet ndërhyrë sa më shpejt.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›