E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejet e ndërtimit, ndërkombëtarët kunder Olldashit

Këshilli i Evropës nëpërmjet një letre drejtuar qeverisë, shpreh shqetësimin për draftin alternativ që po qarkullon nga ministria e Transporteve, ndryshe nga ai që është diskutuar me ndërkombëtarët 

TIRANE-Ligji “Për Territorin” i hartuar nga qeveria, ka pasur dy variante, njëri i shtatorit dhe një tjetër i tetorit. Varianti i paraqitur në shtator, ka marrë OK nga ekspertët e organizmave ndërkombëtare që asistojnë për reformat në qeverinë shqiptarë. Por ndërkombëtarët, kanë mbetur të habitur, kur nga qeveria shqiptare, u ka shkuar një variant i dytë në tetor, i pakonsultuar me ta, për të cilin kanë shprehur edhe shqetësime të shumta. Këshilli i Evropës dhe Banka Botërore, janë shprehur kundër këtij reagimi. Pak ditë më parë, GSH publikoi një letër të Edi Ramës që i dërgonte Olldashit, ku hidhte poshtë variantin e dytë të projekt-ligjit që po diskutohet.
Këshilli i Evropës nëpërmjet një letre drejtuar qeverisë, shpreh shqetësimin për draftin alternativ që po qarkullon nga ministria e Transporteve, ndryshe nga ai që është diskutuar me ndërkombëtarët. “Ky draft i dytë, i panjohur për ne, ndërton një shteg i cili konsiderohet i ndryshëm nga ai i mbajtur nga Ministria juaj në draftin e prezantuar tek ne në shtator” thuhet në letrën e Këshillit të Evropës, për ministrin Olldashi. “Ndjehem i obliguar të përmend se do të ishte pamaturi mosaprovimi i draftit që ne përpunuam në bashkëpunim edhe me aktorët lokalë (Shoqatën e Bashkive dhe Komunave, Agjencinë e Legalizimit dhe Urbanizimit dhe integrimit të zonave informale, ministrinë e Bujqësisë, Drejtorinë e Legjislacionit në Ministrinë e Financave, ministrinë e Drejtësisë, atë të Punës dhe Çështjeve Sociale, OSBE, Bashkinë e Tiranës) të cilët morën mbështetjen e Bankës Botërore dhe të Evropës” thuhet në letrën e KE.
“Besoj se do të shmangni një vendimmarrje e cila do të mund të anulonte të gjitha përpjekjet e bëra këto tetë muajt e fundit” paralajmëron zyrtari i lartë i Këshillit të Evropës, Jean-Louis Laurents.
Banka Botërore
Të pakënaqur me ndryshimin e variantit për ligjin, janë edhe ekspertët e Bankës Botërore. “Shprehim shqetësime të rëndësishme lidhur me përmbajtjen dhe procesin përgatitor të këtij versioni si dhe me komplikimet për procesin e konsultimit dhe aprovimit që do të pasojë më vonë” thuhet në letrën e Camile Nuamah drejtuar ministrit Olldashi. “Në versionin e tetorit, ka devijime të mëdha nga konceptet dhe proceset që kanë marrë mbështetjen tonë prej dy vitesh” thotë BB në letrën e vet drejtuar Olldashit, duke përmendur si raste konceptin e planifikimit të detyrueshëm, procesi i aprovimit dhe planifikimit nga nivelet më të larta të qeverisjes, kufizimet e pashmangshme mbi konsultimet dhe prezantimi i obligimeve politike mbi pjesën teknike të planifikimit. “Banka Botërore pasqyroi komentet e mëparshme të Këshillit të Europës si edhe të disa Organizatave Jo-qeveritare lidhur me ligjshmërinë (që nuhatet) e draftit të ri, për shkak të mungesës së transparencës dhe pjesëmarrjes në procesin e përgatitjes së draftit. Ne jemi te mendimit qe qarkullimi i këtij versioni krejt të ri tek aktorët duke përfshirë bashkitë e përzgjedhura, organizatat jo qeveritare, universitetet dhe komunitetin ndërkombëtar mund të kene dëmtuar kredibilitetin e procesit konsultativ që është në vazhdim” thuhet në letrën e Camile Nuamah. Zonja e Bankës Botërore, i kërkon nëpërmjet letrës ministrit Olldashi të rikthehet dhe të rishikojë sipas të gjitha sugjerimeve të dhëna variantin e shtatorit, dhe jo variantin e ri të paraqitur në muajin tetor.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›