Fëmijët-shitës të Velipojës, mes vapës dhe rrëmujës
Rreth 30 të mitur punojnë përgjatë sezonit veror në plazh duke u munduar të sigurojnë të ardhura
SHKODËR - Sezoni turistik shihet si një mundësi për të siguruar të ardhura jo vetëm nga banorët që jetojnë pranë zonave turistike, por dhe nga të tjerë, që nga Shkodra e rrethinat e saj shkojnë e punojnë në këto zona.
Dhe kjo nuk ndodh vetëm për të punësuarit në lokale e njësi shërbimi, por dhe tek të vetëpunësuarit si ambulantë. Plazhi i Velipojës këtë vit ka njohur më shumë "shitës" të tillë lëvizës, të cilët pushuesve në rërë u afrojnë prodhime të ndryshme.
Fruta, pije freskuese, byrekë, petulla, lojëra plazhi për fëmijët, por dhe letra, shah e domino janë produktet që u afrohen pushuesve në rërë. Janë rreth 30 vetë, nga të cilët mbi gjysma janë fëmijë nën 14 vjeç, që teksa përshkojnë kilometra të tërë nëpër rërën e plazhit, thërrasin me zë të lartë për të bindur pushuesit që të blejnë çka ata shesin.
Besniku, një shitës pijesh freskuese, tregon se është 14 vjeç, jeton në fshatin Bardhaj të Shkodrës dhe në Velipojë ka ardhur këtë verë për të punuar. "Kam dy muaj këtu, nga fillimi i korrikut, kur dhe numri i pushuesve në Velipojë është i madh.
Pijet freskuese i marr tek një lokal dhe me termusin-ftohës shëtis gjithë plazhin duke ia afruar pushuesve në rërë. Bëj disa herë në ditë rrugën nga Vulini e deri tek plazhi privat jo larg grykëderdhjes së Bunës, pasi atje nuk na lejojnë të hyjmë. Janë rreth 90 km në ditë që i bëj vajtje-ardhje nëpër rërë dhe vapë.
Por jam i kënaqur se fitoj mirë, pasi pijet shiten, edhe pse jemi disa që e bëjnë këtë punë dhe lokalet janë të shumta, përfshi dhe ato në rërë. Bashkë me të tjerë kemi marrë një çadër me qira 5000 lekë në muaj ku kalojmë natën".
Ndërsa Kristiani 12-vjeçar tregon se është nga Komani dhe këtë verë vjen për herë të parë në Velipojë. Ai shet petulla që i merr tek një dyqan në plazh dhe fle në çadër. "Kam dhe vëllanë më të madh që shet topa plazhi, letra e domino", tregon ai.
Në disa raste të rriturit ambulantë që shërbejnë në rërë, shoqërohen nga fëmijët e tyre që afrojnë të tjera produkte ose i ndihmojnë në mbajtjen e sendeve që duan të shesin. Duke folur me ta, tregojnë se vështirësitë e jetës i kanë sjellë këtu, ndërsa shprehen se nuk e kanë aspak të lehtë.
Floriani jeton në lagjen "Mark Lula" në Shkodër, ka kryer klasën e tetë dhe hyn në të nëntën. Ai tregon se përveç vapës dhe rrugës së gjatë nëpër rërë e vapë, shpesh përballen dhe me qëndrimin jodashamirës të atyre që kanë lokale në rërë dhe nuk i lejojnë ambulantët të futen nëpër plazhet para tyre për të shitur.
Vitin e kaluar kjo ka qenë më e pranishme dhe në rërë nuk kishte asnjë që tregtonte pije freskuese, por kërkesat e pushuesve kanë bërë që këtë vit ata të lejohen të shesin dhe në rërën e plazhit.
Të tjerë të mitur i sheh gjatë gjithë ditës teksa shesin dhe misra të pjekur, një tjetër biznes ky "i mbarë" në sezonin veror, që në plazhin e Velipojës numëron mbi 15 të tillë. Në rast se pyet nëse kanë mundësi të bëjnë plazh, të thonë se mund të futen në ujin e detit vetëm herët në mëngjes, para orës 08:30, kur fillojnë të dalin për punë, pastaj e kanë të pamundur pasi u duhet të punojnë.
Të shoqëruar ose jo nga të afërm e prindër, këta fëmijë përballen me domosdoshmërinë e mbijetesës dhe, ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre që vijnë në Velipojë për pushime, ata punojnë e nuk pushojnë.