Fëmijët, trampolinë nga bunkerët e diktaturës
DURRES / OERD ULQINI
Tentativa për të imituar trampolinat me bunkerë apo inerte të tjera, përfshirë këtu edhe anijet e mbytura, është kthyer në një rrezik serioz për pushuesit. Në bregdetin e Durrësit mungon panorama joniane me shkëmbinj, çka ka bërë që të rinjtë apo fëmijët, të gjejnë një mënyrë tjetër për të improvizuar hedhjet në det. Në të gjithë vijën bregdetare të Qarkut, me gjatësi 62 kilometra, nga Rodoni e deri në kufi me Kavajën, syri të sheh bunkerë, anije të mbytura apo inerte, nga të cilat ka “rilindur” sporti i hedhjes nga trampolina. Zakonisht fëmijët apo adoleshentët, hidhen nga lartësisë e tyre, por jo rrallëherë ka ndodhur që ata nuk e kanë llogaritur mirë thellësinë e ujit apo atë se çfarë gjendet në fund të detit, duke u çarë apo dëmtuar me sende të forta. Për fat të mirë dëmtimet e kësaj natyre kanë qenë të lehta deri më tani, por pushuesit theksojnë se për të krijuar mundësinë e aplikimit të sporteve të ujit, duhet ngritur infrastruktura. Në plazh mungojnë sistemet e lajmërimit me bova për kufirin e notimit apo ato që sinjalizojnë për prezencën e anijeve të mbytura, si dhe inertet që gjenden edhe në cektësi, aty ku notarët janë të shpeshtë. “Raste të hemorragjive apo frakturave në gjymtyrë kanë qenë të shpeshta, por fatmirësisht deri tani pa pasoja të rënda”, shprehen burimet nga qendra ambulatore plazh. Ndërkohë të dhënat nga urgjenca e Durrësit, nga fillimi i qershorit e deri tani, tregojnë se numërohen afro 5 raste në ditë kur fëmijët janë çarë, teksa hidheshin nga lartësia, apo edhe duke u larë pasi kanë prekur në rërë ndonjë kanaçe apo shishe të thyer. Në plazhin e Durrësit nuk ekziston asnjë trampolinë e mirëfilltë. Në këto kushte, ky lloj sporti po i përshtatet situatës pasi të rinjtë e praktikojnë atë duke kryer hedhje të rrezikshme nga vende të improvizuara apo mbetje inertesh. Shqetësim konstant për hedhjet e rrezikshme nga lartësitë ka ardhur edhe nga Komuna e Golemit. Dy anije të mbytura në këtë zonë gjatë eksodeve masive të viteve ‘91 dhe ‘97 përdoren rëndom nga të rinjtë si trampolina. Një përpjekje për të pastruar bregdetin nga këto hekurishte u ndërmor vite më parë nga pushteti lokal i Golemit, por pa arritur rezultate konkrete. Deri tani janë hequr vetëm pjesët e larta të anijeve, si direkët dhe pajisje të tjera mbi kuvertë, pasi ishte e pamundur të zhvendoseshin të gjitha. Kjo e ka bërë akoma më të rrezikshme atë zonë, pasi shumë pushues që vijnë për herë të parë nuk e dinë se nën rërë gjenden mbetje të ndryshkura metali, të cilat janë pjesë të anijeve të mbytura. Në kohën e monizmit në Durrës ekzistonte infrastruktura për sportet e ujit. Sinjalizimet me bova për kufirin e notarit, apo për kufirin e barkave me rrema nuk mungonin kurrë.