Flet Arjana Bekteshi: “Mësuesit që rrezikohen të preken nga transferimet”
Jonida Tashi
Transferimi i mësuesve nga gjimnazet për në shkollat 9-vjeçare nuk do të rrezikojë vendin e punës së tyre. Reduktimi i numrit të nxënësve në klasa dhe krijimi i klasave të reja është zgjidhja që do të “shpëtojë” një numër të madh mësuesish nga transferimi. Ende nuk dihet se sa do të jetë numri i mësuesve të gjimnazeve, që do të kalojnë në klasat e nënta, por sipas drejtoreshës së Drejtorisë Arsimore Tiranë, Arjana Bekteshi, ky numër do të jetë shumë i vogël. Ajo që dihet deri tani është se mësuesit që do të rezultojnë më pak të suksesshëm do të jenë më të rrezikuarit për t’u transferuar në shkollat 9-vjeçare. Drejtoresha e DRA-së, Tiranë, sqaron mënyrën që do të ndjekë për transferimet. “Klasat kanë pasur një numër shumë të madh nxënësish. Ne në këto momente kemi reduktuar numrin e nxënësve në klasa, duke e çuar në 35, ndërsa klasat e Maturës do të jenë me 32 nxënës”, - pohon Bekteshi. Sipas saj, ulja e numrit të nxënësve në klasa do të bëjë që të ketë më tepër klasa dhe kështu shumica e mësuesve do të ngelen brenda shkollës. Shumë pak mësues do të dalin tepër. Këta mësues do të sistemohen në shkollat 9-vjeçare. Për të qetësuar të gjithë mësuesit nga frika e largimit nga shkolla, Bekteshi konfirmon se asnjë mësues nuk do të ngelet pa punë. Ndërsa përsa i përket kualifikimit të tyre, drejtuesja e DRA-së Tiranë, shprehet: “Mësuesit janë të kualifikuar për të dhënë mësim në shkollat 9-vjeçare, pasi ata japin mësim në gjimnaz dhe nuk kanë ç’të marrin më tepër, ata e kanë plus kualifikimin”. Sipas saj, do të jenë të paktë ata që do të zbresin në shkollat bazë.
Përzgjedhja
Përzgjedhja e mësuesve që do të largohen nga gjimnazet do të bazohet në vlerësimin e shkollës ku ata kanë dhënë mësim. Të gjitha drejtoritë e shkollave bëjnë një vlerësim të brendshëm për mësuesit e tyre dhe në fund të vitit ata vlerësohen në bazë të paraqitjes në punë (performancës) për çdo mësues. Bekteshi thekson se kjo paraqitje në punë do të merret parasysh për të përcaktuar largimet. Por, po kaq rëndësi sa vlerësimi i vetë shkollës do të ketë edhe vlerësimi i inspektorëve të DRA-së për mësuesit. Për këtë, Arjana Bekteshi shprehet: “Këtu në drejtori ne marrin një vlerësim nga inspektorët e lëndës për të gjithë mësuesit e asaj lënde. Për shembull, inspektori i Letërsisë jep një vlerësim të përgjithshëm për mësuesit e Letërsisë. Duke i kombinuar të dyja këto vlerësime ne do të mundohemi të përzgjedhim një mësues që është më pak i suksesshëm se të tjerët”. Por, megjithëse mësuesit do të kalojnë në sitën e inspektorëve për vlerësim, Bekteshi thekson se nuk ka rrezik që të ngelet asnjë mësues pa punë, pasi të gjithë do të sistemohen duke gjetur një zgjidhje. Vlerësimi i mësuesve që do të dalin tepër do të shkojë në raport me klasat dhe lëndët që ata japin. Kështu, në qoftë se ishin 10 klasa dhe bëhen 7 klasa dhe ka një vit më pak, këto 3 klasa që mungojnë i bëjnë të gjitha lëndët, dhe Matematikë, dhe Fizikë. Përballë kësaj vijueshmërie, Bekteshi pohon se mësuesit do të dalin nga të gjitha lëndët, sidomos nga ato që jepen me më shumë orë. Sipas të dhënave të DAR-it, në shkollat publike parauniversitare të Tiranës janë të punësuar mbi 4 mijë mësues.
Emrat
Emrat e mësuesve që do të lënë gjimnazet e Tiranës për të dhënë mësim në shkollat 9-vjeçare do të mësohen së shpejti. Kalimi nga puna si mësues në gjimnaz në shkollë 9-vjeçare do të bëjë që një pjesë e stafit pedagogjik të gjimnazeve të Tiranës të “ulet në gradë”. Mësuesit që do të detyrohen të braktisin klasat e tyre të gjimnazeve nuk do të përfitojnë më as të njëjtën pagë mujore si më parë. Shpërblimi i tyre pas kalimit në shkollat 9-vjeçare do të jetë në përputhje me sistemin ku do të punojnë. Gjithsesi, kriteret për të “përzgjedhur” ata që duhet të lënë vendet e tyre si mësues në gjimnaze janë përgatitur. Paraqitja në punë është pika e parë dhe më kryesorja që do të konsiderohet nga ana e grupit të specialistëve në Drejtorinë Arsimore të Tiranës. Inspektorët e Drejtorisë Arsimore kanë testuar punën e çdo mësuesi, ndërsa nuk kanë munguar as vlerësimet e përgjithshme. Aktualisht, po vazhdon puna për transferimin e mësuesve dhe ende nuk ka numra të saktë të mësuesve që do të lëvizin. Ndërkohë që transferimi i tyre do të bëhet në përputhje me lëndët. Pra, në shkollat 9-vjeçare, ku ka më tepër nevojë për mësues matematike, largohen nga gjimnazi këta të fundit e kështu me radhë. Ndërsa shpërndarja e mësuesve do të bëhet sipas kërkesave të drejtorive të shkollave për staf pedagogjik.
3 Shtator 2008