Rrezikohet mbipopullimi, pesë shkolla 9-vjeçare nuk do të jenë gati më 15 shtator
Numri i nxënësve në shkollat 9-vjeçare të kryeqytetit pritet të rritet vitin e ri shkollor. Shkak për këtë është bërë moshapja e pesë shkollave të reja 9-vjeçare në Tiranë. Mospërfundimi i punimeve ka bërë që këto shkolla të mos jenë gati për të pritur nxënësit në ditën e parë të shkollës. Pikërisht moshapja e këtyre shkollave në fillim të vitit mësimor do të bëhet rrezik për mbipopullimin e klasave, ku më tipike është zona e Kodër Kamzës. Sipas Drejtorisë Arsimore Tiranë, nëse pesë shkollat e reja do të ishin gati më 15 shtator, nuk do të rrezikohej mbingarkesa e klasave me nxënës në shkollat e tjera të kryeqytetit. Burime nga Drejtoria Arsimore e Tiranës bëjnë të ditur se aktualisht kanë përfunduar punimet vetëm në një shkollë në zonën e Yzberishtit, që ende nuk është pajisur me banka dhe mjete mësimore, ndërsa punimet janë shumë prapa në shkollën që po ndërtohet pranë Uzinës së Traktorëve. Tre shkollat e tjera të reja, që nuk do të jenë gati më 15 shtator ndodhen në rrugën “Naim Frashëri”, në zonën e Tufinës, pranë Kopshtit Botanik, si dhe në rrugën “Komuna e Parisit”. Drejtoria Arsimore e Tiranës fajëson Bashkinë e Tiranës për këtë problem, pasi nuk ka përfunduar punimet në këto pesë shkolla të arsimit 9-vjeçar, edhe pse fondet përmes një kredie janë siguruar nga qeveria. Sipas Arjana Bekteshit, jo vetëm që punimet nuk kanë përfunduar ende, por Këshilli Bashkiak i Tiranës, duke mos bërë emërtimin e pesë shkollave të reja, ka krijuar një situatë, që pengon jo vetëm regjistrimin e nxënësve, por bën të pamundur për Drejtorinë Arsimore edhe emërimin e drejtuesve dhe stafit të arsimtarëve për këto shkolla. Për të zgjidhur këtë problem, drejtuesit e DRA-së po shohin mundësinë e marrjes së mjediseve me qira për të plotësuar nevojat. Njëkohësisht duhet, sipas tyre, që Bashkia e Tiranës të lidhë kontrata me subjektet private.
3 Shtator 2008