E Shtunë, 31 Tetor 2026

Femrat që zgjodhën vdekjen

Ato ishin të famshme. Por të pakënaqura. Trupi i tyre ishte një dyzim i madh ndjesish. Mes një jete të mbushur plot çaste depresioni, zgjodhën vdekjen. Janë shkrimtare, aktore, piktore, këngëtare...Emra që lanë gjurmë, jo vetëm për kohën kur jetuan. Historitë e tyre të jetës, e sidomos të fundit që zgjodhën, i rendisin ato mes personazheve të pazakonta. Një artist italian ka "zgjuar" edhe një herë fantazmat e tyre. Fotografi Angelo Cricchi ka inskenuar një ekspozitë të tërë me vetëvrasjet më të bujshme të grave të njohura. Ka zgjedhur 25 prej tyre, mes të cilave emra si Sylvia Plath, Jean Seberg, Edie Sedgwick, Lizzy Siddal, Alfonsina Storni Martignomi, Anne Sexton, Violeta Sandoval apo personazhe të skenave botërore si Madamme Buterfly, Zhuljeta, etj. Janë shkrepje që duket se qëndrojnë sa mes reales aq edhe portreteve të imagjinuara që ai u ka bërë këtyre femrave. I ka vendosur në vendet që ato zgjodhën për të vdekur. Dikush një dhomë të mbushur me gaz, dikush brenda sediljeve të makinës apo me një mbidozë ilaçesh...Mes kontradiktave të mëdha mes vetes dhe botës, ato u bënë pjesë e historisë edhe për mënyrën se si zgjodhën të largoheshin nga kjo botë. Cricchi ka punuar me modele për të krijuar skenat e paramenduara. "Shumë kohë kam punuar në botën e modës dhe isha mësuar tashmë me fytyrat e trishta", shprehet ai i pyetur për idenë e kësaj ekspozitë të veçantë. "Janë portrete tërësisht imagjinare, por të gjitha prezantojnë një frymëzim real, ndonjëherë edhe skenik, siç është rasti i Sylvia Plath. Cricchi i ka soditur dhe ka jetuar gjatë me historitë e tyre. Muzika më e trishtë e shkruar ndonjëherë, e dëgjuar në sfond, mbyllte gjithë "rrëfimin" që fotografi italian kishte ndërtuar mbi këto personazhe të brishta, të forta, të patjetërsueshme dhe të papërsëritshme. Femra që nuk mund të bënin një cikël të plotë jete, që e dëshironin vdekjen edhe pse nuk u ndjenë kurrë të plotësuara. "Në të vërtetë është një punë për gratë që dua, jo mbi vdekjen. Unë linda si i portretizuar dhe për mua të gjitha fotografitë janë imagjinare", e përshkruan sipërmarrjen e tij fotografi italian, i cili rikthehu edhe një herë historitë e 25 femrave fatale.

Sylvia Plath

Talenti i saj u shfaq shumë herët. Poezinë e parë e publikoi në moshën 8-vjeçare. Poetja që jetoi një kohë në Londër, pas divorcit me poetin anglez, Ted Hughes, u kthye në Amerikë bashkë me fëmijët Frieda and Nicholas. Dimri mes vitit 1962-1963 ishte shumë i ashpër për të. Në shkurt i jep fund vetes: mbylli dritaret dhe e futi kokën në furrën e sobës ku rridhte gaz. Më parë u përgatiti mëngjesin fëmijëve, i çoi në shkollë dhe shkroi poezinë e fundit "Humnera". Sylvia lindi më 27 tetor të vitit 1932. Vendosi të ndahej nga jeta më 11 shkurt 1963.

Jean Seberg

Jeta private e aktores amerikane, Jean Seberg, ishte shumë konfuze, shpesh për shkak të depresionit të fortë prej të cilit vuante. Interpretoi në disa filma dhe ishte një ikonë e "Nouvelle Vogue".

U vetëvra me një overdozë ilaçesh. Kishte lënë edhe një shënim të shkurtër lamtumire ku shkruante: "Më falni. Nuk mund të jetoj më gjatë me nervat e mia". Sipas një teorie komploti, ajo u vra nga CIA pasi mbështeste Panterat e Zeza, organizatën revolucionare afro-amerikane në Amerikë. Ajo lindi më 13 nëntor 1938 dhe ndërroi jetë më 8 shtator 1979.

Eddie Sedgwsick

Aktore dhe modele, Eddie shpesh u shtrua në spital për probleme me ushqyerjen. Ishte anoreksike. Në Nju Jork, njihet me Andy Warhol, ku interpretoi në shumë filma si aktore e tij. Pozoi për revista të njohura si "Life" dhe "Vouge". Ajo transferohet në Kaliforni, ndërsa gjendja shëndetësore sa vinte e përkeqësohej. U shtrua në disa spitale psikiatrike. Në një repart psikiatrik njihet me Michael Post me të cilin lidhet në martesë. I shoqi e gjen të vetëvrarë si pasojë e një overdoze ilaçesh. Eddie lindi më 20 prill 1943 dhe vdiq më 16 nëntor 1971.

Alfonsina Storni Martignoni

Poete, dramaturge dhe gazetare argjentinase, Alfonsina ishte një eksponente e postmodernizmit. Simptomat e një tumori e detyrojnë t‘i nënshtrohet një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale, e cila nuk e mënjanoi të keqen. Alfonsina reagoi gjakftohtë, duke inskenuar një vetëvrasje gati si një skenë teatrore. Gruaja ultramoderne, siç i pëlqente ta quanin, e cila lindi më 29 maj 1892, ndërroi jetë para plazhit të quajtur "La Perla". Vdekja tragjike e gruas së popullit frymëzoi edhe këngën "Alfonsina y el mar" të Ariel Ramírez dhe Felix Luna.

Anne Sexton

Ajo ishte një shkrimtare e njohur dhe e vlerësuar në Amerikë, por ndryshe nga sa shfaqej për lexuesin, ishte tepër e varur nga terapitë, psikofarmaceutikët, miqtë intimë dhe dashnorët. Rëniet e shpeshta në depresion, si dhe tentativat e ndryshme për vetëvrasje, bënë që shëndeti i saj të binte gjithnjë e më shumë. Ndihej e vetmuar ndërsa kishte rënë edhe pre e alkoolit. Pas disa tentativave për vetëvrasje, më 4 tetor 1974, ajo zbriti në garazh dhe pasi ndezi motorin e makinës, vdiq si pasojë e çlirimit të monoksidit të karbonit në ajër. Anne lindi më 9 nëntor 1928.

Violeta Parra

Asaj Kili i detyrohet për përkthimin e veprave popullore në gjuhë të ndryshme, për të vijuar me lëvizjen e quajtur "Nueva Canción Chilena". Violeta ishte këngëtare, poete dhe piktore kiliane. Në këngët e saj gjen gjithnjë vend protesta dhe denoncimi për padrejtësitë sociale. Në moshën 50-vjeçare, e goditur nga një formë e fortë depresioni, Violeta i jep fund jetës. Kënga e saj "Gracias a la Vida" konsiderohet si testamenti i saj shpirtëror. Ajo lindi më 4 tetor 1917 dhe ndërroi jetë më 5 shkurt 1967.

Sarah Kane

Autore e teksteve të shumta teatrore, disa prej të cilave dallojnë për temat e dhunshme që ka trajtuar, (përdhunime, kanibalizëm, sëmundje) por jo sepse ajo vetë ishte e dhunshme. E pati bërë këtë zgjedhje në mënyrë që publikut t‘i shpifet dhuna dhe të mos e përdorë më atë. Ajo luftoi gjatë me depresionin që ishte edhe shkaku i vetëvrasjes. Ajo u vetëvra me lidhëset e këpucëve pranë "College Hospital" në Londër. Sarah, dramaturgia britanike, lindi më 3 shkurt 1971 dhe më 20 shkurt 1999 i dha fund jetës.

Francesca Woodman

Pavarësisht jetës së saj të shkurtër, ajo ishte një prej fotografeve që ndikoi më shumë në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit XX. Shfaqej në shumë fotografi të vetat dhe përqendrohej mbi të gjitha te trupi i saj dhe tek ato që e rrethonin. Ajo preferonte ekspozitat që qëndronin hapur për një kohë të gjatë, ose të çelte dy njëherësh. Lindi më 3 prill 1958 dhe ndërroi jetë më 19 janar 1981. Zgjodhi të vriste veten duke u hedhur nga një pallat në Nju Jork në moshën 22-vjeçare. Fotografitë e saj vazhdojnë të ekspozohen edhe sot.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›