Tiranë, gjenden kockat e një njeriu në oborr
Gjenden kockat e një personi, që mendohet se është mashkull, në oborrin e një shtëpie private në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, ndërkohë që policia ka dërguar për ekspertim në laborator kockat e gjetura. Ato janë pikasur nga Nazmi Rrapushi, teksa ka qenë duke punuar në oborrin e tij. Burimet policore të kryeqytetit shpjeguan se rreth orës 09:00 të mëngjesit është njoftuar se te Nish-Tulla Nr.3, duke punuar në oborrin e banesës, Nazmi Rrapushi ka gjetur disa kocka njeriu. Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit dhe ekspertët e kriminalistikës, të cilët morën kockat për ekzaminim në laboratorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Policia tha se pritet të dalin rezultatet e Mjekësisë Ligjore, për të parë sa të vjetra janë kockat, ndërkohë që pritet edhe identifikimi nëse është mashkull apo femër. Ndërsa i zoti i shtëpisë ka deklaruar se banesën e ka marrë para disa vitesh dhe nuk ka mundur të japë informacione më shumë për të ndihmuar hetimet e grupit të punës.