Invalidët, rrugë e vështirë drejt votës
Raste të tilla ua kujtojnë edhe më shumë fatkeqësitë. Invalidët, që shpesh i kemi parë t‘i kërkojnë të drejtat e tyre në protesta rrugësh, dje i janë drejtuar qendrave të votimit. Peripecitë që ndeshin çdo ditë në rrugët apo institucionet e Tiranës, nuk u kanë munguar edhe në këtë ditë zgjedhjesh elektorale. Për ta, mbërritja deri te fleta e votimit ka qenë e vështirë. Më të "dënuarit" u dukën personat që lëvizin me karroca. Qendrat e votimit, që në të shumtën e rasteve në Tiranë kanë qenë shkolla e kopshte shtetërore, kanë një mungesë të theksuar të infrastrukturës për lëvizjen e tyre. Aq më tepër, kur një pjesë e mirë e tyre gjendeshin pas një vargu të gjatë shkallësh që duheshin ngjitur. Zgjidhja për këtë kategori ishte lënë në dorë të secilës qendër votimi dhe të vullnetit të njerëzve që mund të ndodhen rastësisht në të njëjtin moment aty. Në kopshtin nr. 45, njësia bashkiake nr. 5, në qendrën e votimit 1849, nuk ka persona të posaçëm që të kujdesen për këtë kategori. Zyra Kola, koordinatore e PD-së për grupin e vëzhgimit, shprehet se shumica prej tyre shoqërohet nga familjarët. "Në rastet kur janë vetëm, atëherë një tjetër person që mund të jetë i pranishëm, duke përjashtuar anëtarët e komisionit, mund ta ndihmojë", thekson ajo. Mënyra e votimit të kësaj kategorie u shtrua edhe më parë për diskutim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ideja e parë qe ngritja e dy qendrave të posaçme për ta, por kjo mbeti një hamendësim, për mungesë të mundësive të transportit. Rreth mesditës zhvendosemi në një tjetër qendër votimi. Në shkollën nëntëvjeçare "Vasil Shanto" është e njëjta situatë. Një pjesë e qendrave të votimit ndodheshin në katin e dytë, ndërsa zyra ku merreshin shpjegime për pasaktësi apo për mungesë emri në lista, ishte edhe një kat më lart. Ndonëse para hyrjes me tri shkallë, në anë ka një ramp për t‘u ngjitur me karrocat, vështirë të shkohet më lart. Në këtë qendër zgjedhore na thonë se për invalidët është vendosur që të votojnë në katin e parë dhe emri i tyre të shënohet në regjistrin e posaçëm, aty ku krahas tyre shënohen edhe emrat e atyre që votojnë me vendim gjykate. Të verbrit kanë zgjedhur një tjetër mënyrë për të shprehur vullnetin e tyre. I tillë ka qenë rasti i një të moshuari në qendrën e votimit me nr. 1744 në shkollën nëntëvjeçare "Fan Noli". I shoqëruar, ai e ka deklaruar gojarisht zgjedhjen e tij, e cila është shënuar në prani të kryetarit dhe nënkryetarit të komisionit zgjedhor. Në një lagje periferike takojmë Urimin. Është i ri, por një aksident gjatë punës në Greqi, e ka detyruar të qëndrojë në një karrige me rrota. Shiu ka filluar paksa kur ai duket në qendrën e votimit nr. 1707 në kopshtin "Shkozë". Teksa kalon rrugën e makinave, ndalon për një çast. Para tij janë shumë shkallë të pjerrëta. Nuk ka asnjë mundësi tjetër. Kopshti është i rrethuar dhe në një pjesë më të ulur nga rruga. Ironia e fatit e ka mësuar t‘i përshtatet kushteve të reja të jetesës. I ndihmuar nga i nipi dhe një djalë tjetër i gjendur aty, me mundim zbret shkallët. "Është hera e parë që votoj. Shumicën e kohës kam jetuar në Greqi ku edhe jam aksidentuar gjatë punës në ndërtim. Por vështirësia ime nuk mbaron me këto shkallë që zbrita sot. Atje e kam shumë më të lehtë të lëviz dhe të mbaroj punë jetike në disa institucione. Këtu është gati e pamundur po të mos kesh një makinë e të të shoqërojë dikush", shprehet ai. Ashtu si shumë të tjerë, e ka plotësuar kutinë e vogël te fleta e votimit me një shpresë të madhe. Ndërsa e pyet se çfarë mendoi kur zgjodhi partinë për t‘i dhënë votën, ai shprehet: "Dua të ndjehem i integruar, të na krijohen mundësi për të bërë disa punë të cilat gjendja fizike na i lejon". Bajram Tirana, president i Shoqatës së Paraplegjikëve dhe Tetraplegjikëve me traumë në shtyllën kurrizore, ka qenë një nga ata që i është drejtuar qendrës së votimit. Për të, rruga deri te fleta e votimit ka qenë më e lehtë, për shkak të terrenit të shkollës ku votoi. "Që më parë patëm kërkuar krijimin e lehtësirave për invalidët që edhe ata të kenë mundësi të votojnë. Unë nuk pata shumë vështirësi, përveç një pengese që më ndihmuan disa njerëz ta kaloj, shprehet ai. Nuk jam shumë i informuar si ka qenë situata në qendra të tjera votimi", shprehet ai. Duke pranuar fatin e duke u përpjekur ta bëjnë më të lehtë atë, ata kanë hedhur një votë për të marrë më shumë vëmendje.