E Diel, 1 Nëntor 2026

Rinas, rrihet te parkingu një diplomat i OKB-së

Rrihet një diplomat në aeroportin e Rinasit, teksa po lëvizte me mjetin e tij në drejtim të Tiranës. Ngjarja ka ndodhur dy net më parë, kur këshilltari i sigurisë për OKB-në në Tiranë ka rënë pre e grushteve të një personi. Policia deklaroi se konflikti ka ardhur pas një debati të çastit, ndërkohë që është identifikuar autori dhe do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se për këtë ngjarje filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Rebani Fejzullain, 46 vjeç, banues në Itali. Sipas policisë, emigranti ka pasur një konflikt të çastit me diplomatin hungarez Zoltan Biro. Ngjarja është shënuar rreth orës 19:00, te parkingu i aeroportit, ku emigranti shqiptar ka goditur me grushte 56-vjeçarin me detyrë këshilltar i sigurisë së OKB-së në Shqipëri. Policia, e cila ndodhej pak metra më tutje, ka bërë shoqërimin e agresorit, i cili nuk ka kundërshtuar dhe pasi e kanë marrë në pyetje në lidhje me rrethanat e ngjarjes, e kanë lënë sërish të lirë, por do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë për kundërvajtjen penale "rrahje me dashje".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›