E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fenomeni” Federico Moccia viziton Tiranën

 

Në Itali ai tanimë është një fenomen. Çdo adoleshent ka lexuar në mos të gjithë, të paktën një roman të tij dhe si protagonistët e famshëm të një prej librave, ka mbyllur një dryn dashurie në urën e ndërtuar në vitin 206 para Krishtit, Ponte Milvio në Romë. Librat e Federico Moccia-s, jo vetëm janë bestsellera të padiskutueshëm, por janë kthyer thuajse të gjithë në filma. Gjatë ditëve të panairit të Librit, në nëntor, ai do të jetë në Tiranë, ku do të prezantojë edhe një prej veprave të tij. Federico është bir arti. I ati Giuseppe Moccia, është një nga skenaristët e parë italianë, firmën e të cilit mbajnë shumë filma me aktorët e njohur Totò, Franco Franchi e Ciccio Ingrassia, etj. E më tej një nga regjisorët e disa prej filmave komikë më të suksesshëm italianë të viteve ’70, ’80. Pikërisht në një nga këta filma, ku figuron si asistent regjisor nis edhe rruga artistike e Federico-s, atëherë 19-vjeç. Do të vijojë karriera e tij në televizion si regjisor dhe skenarist. Do të shkruajë skenarët e disa prej spektakleve më të ndjekura italiane si “I Cervelloni”, “Ciao Darëin”, “Chi ha incastrato Peter Pan?”, “Domenica In”, “Il treno dei desideri”, etj. Në vitin 1992 shkruan romanin e tij të parë “Tre metra mbi qiell” (“Tre metri sopra il cielo”). Fillimisht ka probleme për të gjetur një shtëpi botuese dhe arrin ta botojë librin me paratë e tij në një shtëpi të vogël botuese dhe në fare pak kopje. Por ndodh që ato pak kopje të fotokopjohen e të shpërndahen mes të rinjsh. Një sukses i paparashikueshëm do të vinte 12 vjet më vonë, kur libri i ribotuar nga “Feltrinelli”, jo vetëm që shënoi një rekord shitjesh, por u bë edhe film, me të njëjtin titull. Me këtë roman Moccia ka fituar disa çmime letrare. Në shkurt të vitit 2006 del romani i tij i dytë “Ho voglia di te”, mbi të cilin sërish realizohet një film, që pati një sukses të jashtëzakonshëm. Në prill të 2007-ës botohet romani “Scusa ma ti chiamo amore” (“Më fal por do të të thërras i dashur”) dhe një vit më vonë, filmi me të njëjtin titull del në kinematë italiane me protagonistë Raoul Bova e Michela Quattrociocche. Më tej botohen “Cercasi Niki disperatamente” (“Duke kërkuar Nikin dëshpërimisht”), “Amore 14”(“Dashuri 14”) dhe në 30 tetor pritet të dalë në kinema filmi me të njëjtin titull. Në korrik të këtij viti doli vijimi i romanit “Scusa ma ti chiamo amore”, nën titullin “Scusa ma ti voglio sposare” (“Më fal, por dua të martohem me ty”), nga i cili do të realizohet një tjetër film që do të dalë në kinematë italiane në 30 janar 2010, me regji të vetë Moccia-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›