Kriza prek librin, më pak tituj në panair
Alma Mile
Nuk do të mungojnë titujt e rinj, megjithatë do të jenë më pak se në edicionet e tjera. Panairi i 12-të i Librit “Tirana 2009”, i cili do të zhvillohet në nëntor, vjen me më pak tituj këtë vit. Këtë e ka deklaruar kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, organizator i këtij panairi. Duket se kriza ekonomike ka prekur edhe sektorin e botimeve. Ndonëse shpirtërisht libri përbën një thesar të paçmuar, sa i përket anës monetare edhe ai është një “mall”, i cili shitet e blihet dhe nuk ka se si të mos varet nga xhepat e konsumatorit. Ashtu si për çdo produkt tjetër edhe librat kanë pësuar rënie në shitje. Njerëzit blejnë më pak libra dhe si rrjedhim edhe shtëpitë botuese janë të detyruara të reduktojnë tirazhet, apo edhe të zvogëlojnë numrin e titujve që nxjerrin në qarkullim. Dje, gjatë një konference për shtyp, kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri pohoi se: “Doemos që numri i titujve të rinj gjatë 1 viti është tkurrur për pasojë edhe titujt e rinj në stenda do të jenë më pak se vitet e shkuara”. Kjo sipas tij ka ndodhur për shkak të krizës ekonomike, që ka prekur librin shqip, pasi ka rënë numri i lexuesve, çka reflektohet në shitjen e librave në libraritë e Shqipërisë. Rënien e numrit të shitjeve e konfirmojnë edhe botues të tjerë, por sipas tyre kriza prek më së shumti shtëpitë e vogla botuese, ndërsa ato të mëdhatë, i qëndrojnë edhe kësaj tronditjeje. “Sigurisht që kriza ndihet. Nëse do të flasim me përqindje, atëherë vihet re një rënie në masën 20% të shitjeve, krahasuar me vitet e mëparshme. Megjithatë, duke qenë një shtëpi botuese e stabilizuar, e cila funksionon mbi bazën e kolanave, kriza ekonomike nuk ka ndikuar në programet që ne kemi”, - thotë Arlinda Dudaj, drejtuesja e shtëpisë botuese “Dudaj”. Sipas saj kriza ekonomike prek më së shumti shtëpitë e vogla botuese, madje në këtë panair do të mungojë ndonjë emër që ka qenë i pranishëm gjatë viteve të tjera. “Duhet thënë që kriza ka përfshirë gjithë sektorin e librit, jo vetëm në Shqipëri. Gjatë panairit të Frankfurtit, ku ne ishim të pranishëm, ky ishte një nga problemet më shqetësues. Por duket se më të prekurat janë shtëpitë botuese amerikane, të cilat kishin reduktuar shumë projektet e tyre”, - thotë Dudaj. Për botuesin Luan Pengili, rëniet në shitje variojnë nga 10-15%, një shifër kjo, që nuk e trondit një shtëpi botuese të konsoliduar. Megjithatë, fakti që këtë vit do të kemi më pak tituj të rinj do të thotë se kriza e ka prekur sektorin e librit, pavarësisht se ku më shumë e ku më pak.
Panairi
Panairi i 12-të i librit, “Tirana 2009” do të mbahet më 12-16 nëntor në Pallatin e Kongreseve, ku do të marrin pjesë mëse 100 subjekte botuese nga të gjitha hapësirat shqiptare. Kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre shtëpia botuese nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, madje priten të marrin pjesë edhe shtëpi botuese nga Izraeli e Rusia. Gjatë një konference për shtyp, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri bëri me dije se këtë vit është premtuar mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës. Ashtu si edhe në edicionet e tjera, gjatë ditëve të panairit do të organizohen një seri aktivitetesh, si promovime titujsh të rinj, takime me shkrimtarë e botues, etj. Nuk do të mungojnë edhe çmimet e përvitshme për shkrimtarin, më të mirë, përkthyesin, shtëpinë botuese e paraqitjen më të mirë. Këtë vit do të ketë edhe një çmim të ri, “Miqtë e kulturës”, i cili do të mundësohet nga rajoni i Piemontes, në kuadrin e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Italisë. Ky çmim do të jepet nga i ftuari i nderit në panair, shkrimtari italian Frederico Moccia. Ky autor tanimë vjen edhe në shqip përmes shtëpisë botuese “Dituria”.