“Greqia nuk do të jetë më një ferr për emigrantët”
Qeveria e re greke ka kthyer politikën e migracionit në Greqi, të dënuar deri më tani në rang ndërkombëtar. Ministri i Mbrojtjes Civile, një nga katër ministritë e reja në Greqi, Mihalis Krisokoidis tha se “Ky vend nuk mund të jetë më një ferr për emigrantët”. Një brezi të fëmijëve të emigrantëve, të cilët janë lindur dhe rritur në Greqi, por nuk njihen ende zyrtarisht, do t’iu jepet shtetësia greke. Kështu ka vendosur qeveria e sapozgjedhur socialiste. Sipas “Gardian”, ky vendim është pjesë e një rishikimi të gjerë të politikave të emigracionit, të dënuar gjatë nga organizatat ndërkombëtare. Numri i fëmijëve që mund të përfitojnë nga kjo nismë mund të arrijë deri në 200,000. Aktivistë të të drejtave të njeriut thonë se masa do të përmbysë një situatë “surreale”, ku fëmijët, prindërit e të cilëve janë emigrantë të vendosur ligjërisht në Greqi, trajtoheshin si “alienë” pa të drejta në gjithçka. “Absurd është një fjalë me shumë dritë për të përshkruar shumë prej këtyre fëmijëve”, tha Petros Papakonstantinu, një zëdhënës i shquar anti-racizmi. “Edhe pse kanë lindur në Greqi, ndjekin shkolla greke dhe flasin vetëm greqisht, në dokumente ata nuk ekzistojnë fare”, tha ai. Pa dokumentacionin zyrtar fëmijët ishin shpesh objekt të abuzimit, arrestimit dhe deportimit në moshën 18 vjeç. “Ka fëmijë, prindërit e të cilëve janë nga Afrika, Azia dhe vende si Shqipëria, të cilët janë të regjistruar në shkollat anembanë Greqisë, por që nuk kanë dokumente të asnjë lloji. Në Evropë ky rast është unik”, sqaroi zëdhënësi. Sipas reformave, fëmijët e pashoqëruar të mbajtur në qendrat e paraburgimit të mbipopulluara do të lirohen. Në muajt e fundit ka pasur rebelime në kampet e emigrantëve në Lesbos dhe ishujt e tjerë të Egjeut, të udhëhequr shpesh nga të miturit, duke protestuar kundër kushteve të këqija të jetesës. Ndërsa pjesë të tjera të Evropës kanë pasur një rënie në emigracionin e paligjshëm, Greqia ka përjetuar një rritje 50 për qind, me ishujt e saj lindor. Shumica e emigrantëve, që kalojnë nga Turqia, janë nga Azia, Afrika dhe vende të tilla si Iraku dhe Afganistani. “Greqia mbetet pika kryesore e hyrjes për emigrantët e paligjshëm në Evropë”, tha Fernandez Gil Arias, zëvendës drejtor i Frontex, agjencia e kufirit në BE. Ndërsa Turqia është kritikuar për dështimin për të ndaluar rrjedhjen e ‘trafikut’ të emigrantëve, Greqia është denoncuar për trajtimin “çnjerëzor” të emigrantëve. Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar shpesh qeverinë konservatore të Karamanlisit për keqtrajtimin e emigrantëve dhe dëbimin e tyre drejt Turqisë.