Filmi për fëmijë, tri ditë në Durrës
Edicioni i 5-të i Festivalit të filmave për fëmijë dhe të rinj “Giffoni” u ndal dje paradite në Durrës. Qindra nxënës të shkollave 9-vjeçare të këtij qyteti do të kenë mundësi të ndjekin gjatë tre ditëve të qëndrimit të këtij festivali në Durrës, 8 filma artistikë me temë nga jeta e bashkëmoshatarëve të tyre në vende të ndryshme të botës. Dje paradite në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” ka nisur projektimi i prodhimeve kinematografike nga Spanja, Hollanda, SHBA, Australia dhe Italia në seksionet “Free to fly” dhe “Y generation”, që u drejtohen përkatësisht grupmoshave 12-15 dhe 15-19 vjeç. Gjatë ditëve të zhvillimi të tij, në Shkodër e Durrës dhe më pas në Elbasan dhe Tiranë juria e shikuesve të rinj, një pjesë e të cilëve do të mbërrijnë në fazën finale edhe nga Kosova dhe vende të tjera të Ballkanit, do të gjykojnë mbi vlerën e filmave, duke shpallur edhe fituesit e edicionit të pestë. Bashkë me tre kupat vlerësuese festivali Giffoni, do të shpallë më 28 tetor edhe filmin fitues të çmimit special “Xhanfise Keko”, në nderim të regjisores së filmave për fëmijë.