E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të huajt bëjnë anatominë e Tiranës

 

“Tirana: Fizika e Qytetit”, është ekspozita e radhës që hapet sot në serinë e aktiviteteve të “Tetorit gjerman”. Është një kërkim i një grupi artistësh të huaj, të cilët kërkojnë të përkufizojnë kryeqytetin shqiptar, përmes një hulumtimi që bëjnë nëpër rrugët e saj. Sipas artistëve është e vështirë ta përkufizosh Tiranën me tri fjalë siç mund të ndodh me qytete si Nju Jorku, Parisi, Berlini... “Tirana: Fizika e Qytetit” shkon përtej një reduktimi të tillë. “Ne duam të kuptojmë të gjithë qytetin nëpërmjet rrugëve. Në mars 2009 kemi ecur në çdo rrugë të Tiranës me pyetjet “Si na shfaqet trupi urban i Tiranës?” dhe “Çfarë është i tërë qyteti?”. U ndeshëm me një organizëm dinamik dhe vetëshkatërrues të një metropoli ambicioz. Në 400 kilometra u bënë 12000 fotografi”, thonë organizatorët. Ekspozita do të reduktojë këtë tërësi imazhesh në një përzgjedhje heterogjene dhe personale tablosh individuale, serish, panoramash dhe fragmentesh filmike. Grupi kërkimor i “Tirana: Fizika e Qytetit” përbëhet nga gjashtë studiues të rinj nga Gjermania, Çekia dhe Polonia. Tek ta shohim të ndërthuren shkencat politike, historia e artit, fizika, arkeologjia dhe filozofia. Një projekt i “Studienkolleg zu Berlin”, financuar nga fondacioni jofitimprurës “Hertie” dhe fondacioni i Studimeve të Popullit Gjerman.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›