E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta-Koçi, pakt për bashkëqeverisje

 

Aristir Lumezi

Lëvizja Socialiste për Integrim nënshkroi dje marrëveshje bashkëpunimi zgjedhor me partinë më të re të majtë. Ilir Meta dhe Petro Koçi hodhën firmat në atë që ata e konsideruan pakti i hapur parazgjedhor dhe paszgjedhor.  Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ndodheshin drejtues të të dy forcave politike. “Sot ne zgjerojmë koalicionin tonë, duke nënshkruar marrëveshjen me Partinë Socialiste të Vërtetë ‘91, të drejtuar nga z.Petro Koçi. Firmosja e sotme është një garanci shumë e rëndësishme për fitoren e koalicionit tonë në zgjedhjet e ardhshme, për triumfin e zgjedhjeve progresiste dhe për garantimin e një qeverisjeje të majtë dhe progresiste pas 28 qershorit”, tha kryetari i LSI-së, Ilir Meta, pas nënshkrimit të saj. Meta tha dje se nisja e një bashkëpunimi të tillë mes të majtësh nuk do lejojë rotacion kastash pas zgjedhjeve të 28 qershorit. “Njëkohësisht kjo marrëveshje është një garanci shumë e rëndësishme për fitoren tonë në 28 qershor, sepse jo vetëm kasta e Sali Berishës do të marrë fund me votën e shqiptarëve, por nuk do të ketë as rotacion kaste. Qeverisja do t’i kthehet njerëzve, do t’i kthehet qytetarëve dhe do t’i shërbejë atyre për t’i dhënë zgjidhje problemeve më të rëndësishme dhe më jetike, në luftën kundër varfërisë”, tha Meta. Kreu i PSV ‘91 e cilësoi marrëveshjen zgjedhore të nënshkruar me LSI-në si garancinë e qeverisjes së të majtëve pas zgjedhjeve të 28 qershorit. “Kjo është një marrëveshje, e cila garanton qeverisjen e të majtëve pas zgjedhjeve të këtij viti. Sigurisht që kjo marrëveshje ka parasysh, mbi të gjitha, interesat politike të vendit për të hequr nga pushteti një koalicion të djathtë të korruptuar përfundimisht dhe për të vendosur një qeverisje të mirë, një qeverisje të kontrollueshme nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë në katër vitet e ardhshme qeverisëse”, tha Petro Koçi. Ai i bëri thirrje socialistëve të dalin në votim ditën e ndryshimit të madh sipas tij. “Ne nga kjo tribunë bashkëpunimi i bëjmë thirrje të gjithë të majtëve, të gjithë socialistëve të vërtetë kudo që të jenë, që në 28 qershor t’u drejtohen pa ngurrim kutive të votimit, për të fituar zgjedhjet, sepse zgjedhjet do t’i fitojë ai bllok politik, i cili, tërheq në procesin e votimit më shumë mbështetës se sa blloku tjetër”, tha Koçi. Kreu i PSV ‘91 denoncoi dhe sondazhet e bëra nga kompani të ndryshme ditët e fundit. “Dua të denoncoj sondazhet e fabrikuara nga oligarkia në pushtet, nga oligarkia konsensuale, e cila, ndoshta qysh nesër, por edhe më vonë do të kërkojë të influencojë dhe tmerrojë opinionin publik me sondazhe të falsifikuara. Tashmë është e qartë që qytetarët e Republikës së Shqipërisë janë kundër oligarkisë së 21 prillit, datë e cila i dha imunitet qeverisjes së keqe të këtij vendi, qeverisjes së sotme, por edhe të atyre që guxojnë të fotokopjojnë të njëjtin model për vitet e ardhshme”, tha Koçi.  

Veliaj: Meta, ministër i Berishës
“Kemi të gjitha arsyet jo vetëm për ta përkujtuar atë ditë, por edhe për t’i treguar çdo skeptiku, i cili thotë kur do të jetë dita që do të ngrihen këta njerëz. Zoti Meta është tashmë anëtar i kabinetit të qeverisë Berisha, me funksion punët opozitare, ashtu si Pango për kulturën dhe Xhuveli për mjedisin. Ky është ministri i 15-të. Por, e theksoj, se e duam shumë Shqipërinë që ta lëmë në dorë të Ilir Metës dhe
Sali Berishës”.

Gjinushi: Qeveria bën antimitig
“Ai është një krim shtetëror i vërtetuar dhe është vendi ku plas korrupsioni qeveritar, ku plasi trafiku qeveritar dhe papërgjegjshmëria e kësaj qeverie. Ndaj edhe PSD i bashkohet kësaj proteste dhe i bën thirrje qytetarëve të jenë të gjithë së bashku për ta përkujtuar dhe për të rikthyer shpresën në të gjithë Shqipërinë. Është normale që edhe qeveria të bëjë antimitingun e vet, me rastin e 15 marsit”.

Prifti: Jo koalicionit të lakuriqëve
“Koalicioni i lakuriqëve, koalicioni i partive të dushkut, koalicioni i të punësuarve në Bashkinë e Tiranës,
siç është familja Gjinushi, do të dalë në një protestë për të treguar hipokrizinë e vet dhe asnjë gjë më shumë. Protesta që do të mbajë LSI dhe të gjithë aleatët e saj të majtë, socialistë dhe progresistë, nuk ka moton “Mos harroni”, por ka moton që ka pasur që në ditën e parë pas tragjedisë së Gërdecit, “Berisha ik”.

“Pas 28 qershorit, nuk do ketë më Gërdec”

Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, pjesëmarrës në tryezën e djeshme të opozitës për protestën e së dielës, i bëri apel shqiptarëve të ndërgjegjësohen në këtë ditë në rëndë në historinë e vendit. “Në emër të PDS, ne do t’i bashkohemi ditën e diel protestës qytetare, në kujtim të përvjetorit të masakrës së Gërdecit”, tha Milo. Sipas tij, qeveria e majtë që do dalë pas 28 qershorit nuk do lejojë më Gërdecë të rinj. “PDS, si shprehëse e indinjatës së atyre segmenteve të shoqërisë sociale, do ta thotë atë ditë fjalën e vet fort, me qëllim që politika shqiptare të reflektojë seriozisht dhe që populli i Gërdecit dhe gjithë Shqipërisë, të bindet që me ardhjen e opozitës nuk do të ketë më Gërdec të tjerë në historinë e shqiptarëve”, tha Milo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›