E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë kualifikimin

Sigal Prishtina dhe Peja të mërkurën do t’i kërkojnë fitoret e dyta ndaj Trepçës, përkatësisht Bambit për t’u kualifikuar në finale të play-off’it. Bardhekaltrit dhe verdhezinjtë besojnë se do t’i ‘heqin qafe’ të mërkurën dy ekipet nga Mitrovica. Nga Valon Konushevci më 18 maj 2011 në ora 11:57

Të mërkurën do të zhvillohen ndeshjet e dyta gjysmëfinale të play-off’it në BKT-Superligën e Kosovës në basketboll ndërmjet Trepçës e Sigal Prishtinës dhe Pejës e Bambit.

Prishtinasit dhe pejanët avancojnë ndaj Trepçës, përkatësisht Bambit prej 1-0 me ndeshje dhe u nevojitet vetëm edhe nga një fitore ndaj këtyre dy ekipeve nga Mitrovica për t’u kualifikuar në finale.

Madje, ka gjasa të mëdha që kështu edhe të ndodhë, sepse në ndeshjet e para gjysmëfinale bardhekaltrit dhe verdhezinjtë u treguan tepër të fortë për lojtarët e Trepçës dhe ata të Bambit.

Andaj, kryeqytetasit janë optimistë se të mërkurën do ta prekin finalen, sepse janë të bindur se edhe në ndeshjen e dytë gjysmëfinale do ta mposhtin pa problem ekipin gjelbër e zi, ndonëse kësaj radhe ‘Xehetarët’ do të luajnë në shtëpi të tyre.

“Presim lojë më të mirë dhe më të fortë nga Trepça në dallim prej ndeshjes së parë. Por, ne jemi të bindur se mund të triumfojmë edhe në Mitrovicë dhe të kualifikohemi në finale pas kësaj ndeshjeje”, ka thënë basketbollisti i Sigal Prishtinës, Blerim Mazreku.

Njëjtë si Sigal Prishtina edhe Peja beson se të mërkurën do ta mposhtë për të dytën herë rresht Bambin dhe të kualifikohet në finale për të luftuar për titullin e kampionit.

“Nuk do ta kemi të lehtë në duel me Bambin, i cili ka një ekip mjaft të mirë. Por, jemi më afër finales sesa Bambi. Prandaj ne do të mundohemi ta japim maksimumin dhe ta përmbyllim këtë ndeshje në favor tonin”, deklaroi trajneri pejan, Bujar Loci.

Por, nëse Trepça apo Bambi mposht Sigal Prishtinën respektivisht Pejën, atëherë duhet pritur fundjavën për t’u zhvilluar ndeshja e tretë për t’u qartësuar se kush me kë do të ndeshet në finale.
Ndeshja mes Trepçës e Sigal Prishtinës zhvillohet në palestrën ‘Minatori’ në Mitrovicë prej orës 16:30, kurse dueli tjetër mes Pejës e Bambit luhet në palestrën ‘Karagaç’ në Pejë prej orës 19:00.

BKT-Superliga
Ndeshjet e dyta gjysmëfinale të play-off’it
E mërkurë
Trepça – S. Prishtina(0-1)16:30
Peja – Bambi(1-0)19:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›