Në Bosnjë për fitore
Selektori i Shqipërisë, Josip Kuze ka filluar t’i bëjë përgatitjet për ndeshjen e 7 qershorit, kundër përfaqësueses së Bosnjës, e cila do të zhvillohet në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012.
Trajneri kroat ka thënë se në Bosnjë do të shkojë për fitore, pasi vetëm me rezultat pozitiv nga kjo përballje, kuqezinjtë do t’i mbajnë gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm në Kampionatin Evropian.
“Ne do të shkojmë për të fituar atje, ne normalisht se duhet të sulmojmë. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në mbrojtje, e njëkohësisht duhet të sulmojmë. Besoj se boshnjakët do të jenë shumë mirë të përgatitur në ndeshjen ndaj nesh, por ne duhet t’iu kundërvihemi”, ka thënë Kuze të martën në një konferencë për media.
Kuze ka paralajmëruar se nuk do të ketë risi në listën e futbollistëve që do t’i ftoj për këtë sfidë. Për këtë ndeshje, trajneri kroat do të mund të llogaritë në Debatik Currin që ishte i lënduar dhe në Armend Dallkun, që mungoi kundër Bjellorusisë për shkak të kartonëve.
“Rikthimi i Dallkut dhe Currit është i mirëseardhur, sepse prej kur jam selektor i Shqipërisë, ata kanë qenë lojtarë kyçë në skuadrën tonë. Andaj, rikthimi i Dallkut dhe Currit pas një kohe të gjatë, janë sinjale pozitive për ne”, ka theksuar ai.
Ish-trajneri i Dinamo Zagrebit është shumë i lumtur që në fazën e sulmit do të ketë futbollistë që po shkëlqejnë me ekipet e tyre duke shënuar gola si Hamdi Salihi dhe Edmond Kapllanin.
“Jam i lumtur që Kapllani po kalon nëpër një formë shumë të mirë, pas dëmtimit goxha të rëndë që e kishte pësuar, dhe tashmë ai edhe po shënon gola. Kapllani është një lojtar i rëndësishëm për mua, jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen. Do të isha i kënaqur sikur ai të na bashkohej, por fillimisht duhet ta kontrollojmë gjendjen e tij”, u shpreh 57-vjeçari.
Në anën tjetër, Kuze ka folur edhe për ndeshjen miqësore që Kombëtarja do ta zhvillojë më 20 qershor ndaj përfaqësueses së Argjentinës, në stadiumin ‘Monumental të Buenos Airesit’.
“Është një ndeshje interesante për Shqipërinë dhe tifozët e saj që të luajmë ndaj Argjentinës. Lojtarët tanë sigurisht se kanë dëshirë të luajnë ndaj një ekipi si Argjentina. Ne duam ta luajmë një ndeshje të mirë, e jo vetëm sa për kujtim se dikur kemi luajtur ndaj Argjentinës. Jam i lumtur që do ta zhvillojmë këtë ndeshje ndaj një ekipi shumë të fortë”, ka thënë ai
Kuze edhe një herë ka përsëritur se do t’i mbetet besnik ekipit kuqezi, pavarësisht zërave se ai mund t’i bashkohet gjigantit kroat Dinamo Zagreb. Ndërsa kroati mendon se rezultati i ndeshjes me Bosnjën nuk do të jetë i rëndësishëm për të ardhmen e tij në ekipin kuqezi.
Kuqezinjtë kanë shkëlqyer në kualifikimet për Euro 2012. Ata gjenden në pozitën e tretë të Grupit D, me tetë pikë të tubuara, sa ka edhe Bjellorusia në vendin e dytë. Shqipëria prapa ka lënë Bosnjën e Hercegovinën dhe Rumaninë.