Ministria, kqyr seri
Që nga paslufta nuk ka përfunduar kampionat në vendin tonë pa u përfolur ndeshjet e futbollit në aspektin e kurdisjeve të rezultateve të tyre.
E njëjta po përsëritet edhe sivjet. Madje, çdo ditë e më shumë zyrtarë të lartë të disa klubeve haptazi nëpër media kanë pohuar se ndeshjet po kurdisen, për çka kanë plasuar edhe akuza të ndërsjella.
Ngjarje të fundit e kanë shqetësuar edhe Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Sportit, e cila udhëhiqet nga ministri Memli Krasniqi.
Këshilltari i Krasniqit, Malësor Gjonbalaj, ka paralajmëruar se Ministria e Sportit nuk do të rrijë duarkryq karshi kësaj situate. Ai ka thënë se ky institucion shumë shpejt do ta nisë luftën e rreptë ndaj kurdisjeve të rezultateve të ndeshjeve të futbollit kosovar, por edhe në sportet tjera.
“Janë shqetësuese për institucionin tonë të gjitha këto ngjarjet e fundit që po ndodhin dhe ne shumë shpejt do ta mbajmë një takim shumë serioz me kryetarët e federatave dhe do t’i lusim ata që të bëjnë çmos që këto dukuri përfundimisht të ndërpriten”, deklaroi për Express Gjonbalaj, i cili e njeh mirë futbollin kosovar.
Gjonbalaj u bëri thirrje të gjithë atyre individëve që kanë argumente për kurdisje të rezultateve të ndeshjeve t’i paraqesin ato në organet e hetuesisë, për të mirën e futbollit kosovar, i cili edhe ashtu është në gjendje të rëndë në çdo pikëpamje.
“I lusim të gjithë ata që kanë fakte dhe argumente për kurdisje të rezultateve t’i deponojnë në organet kompetente, në mënyrë që të ndërmerren masat sa më shpejt. Ne si Ministri e Sportit do t’i shqyrtojmë të gjitha mënyrat e mundshme për t’i parandaluar këto dukuri në kuadër të kompetencave që kemi”, theksoi Gjonbalaj.
Në anën tjetër, Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në mbledhjen e vet të mbajtur të martën, ka diskutuar edhe rreth kurdisjeve të rezultateve siç po përflasin zyrtarë të lartë të klubeve të Superligës.
Por, shtëpia e futbollit kosovar nuk shqetësohet shumë me deklarata të tilla. Udhëheqësit e futbollit kosovar thonë se nuk merren me ‘llafe’, por me fakte.
“Komiteti Ekzekutiv (KE) po i ndjek me vëmendje edhe deklaratat në opinion të disa individëve të papërgjegjshëm që pa asnjë bazë dhe provë japin deklarata për gjoja kurdisje të ndeshjeve dhe me këtë rast KE u bën thirrje të gjithëve dhe kërkon nga të gjithë ata që kanë fakte dhe prova për trukime të ndeshjeve t’i paraqesin në organet e FFK-së, të cilat do t’i marrin të gjitha masat adekuate, sikur që ka ndodhur edhe në të kaluarën kur ka pasur fakte”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga FFK-ja.
Drejtuesit e futbollit kosovar u kanë bërë thirrje të gjithëve të kenë kujdes në deklarime, sepse në të kundërtën ata që flasin pa fakte do të paditen për dëmtim të imazhit të futbollit.
“FFK-ja nuk mund të ndërmarrë asgjë vetëm mbi bazat e thashethemeve të çarshisë. Mirëpo, KE ua bën me dije të gjithë atyre që bëjnë deklarata të tilla të pabaza e pa fakte se do t’u kërkojë organeve relevante të drejtësisë dhe hetuesisë që seriozisht të merren me to për t’u zbardhur e vërteta dhe që ata të ballafaqohen me ligjin”, thuhet në këtë kumtesë të FFK-së, në të cilën, megjithatë, vlerësohet si normale rrjedhja e deritanishme e garave kampionale.
Që nga paslufta, vazhdimisht përflitet shumë për kurdisje të rezultateve në ndeshjet kampionale të Kosovës, derisa asnjëherë nuk janë nisur hetimet rreth atyre ndeshjeve.
Rasti i vetëm ka qenë ai i vitit të kaluar, kur ishte hetuar ndeshja e Ligës së Parë mes Fushë Kosovës dhe Ulpianës. FFK-ja kishte konstatuar se ajo ndeshje ishte kurdisur, me ç’rast Fushë Kosovën e kishte përjashtuar nga Liga e Parë, duke e dërguar në një rang më të ulët të garave.
Më 5 qershor, finalja e Kupës
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, në mbledhjen e vet të mbajtur të martën, ka vendosur që finalja e Kupës së Kosovës mes Prishtinës dhe Besës të zhvillohet më 5 qershor. Takimi final i këtij trofeu do të zhvillohet në stadiumin e kryeqytetit prej orës 17:00.