Ferdi Berisha,shqiptari fiton “Grande Fratello”
Historia e një 22-vjeçari, me origjinë rome, të braktisur nga prindërit që në vogëli, ka tronditur publikun italian, i cili e ka zgjedhur atë si fituesin e edicionit të nëntë të reality show-t “Grande Fratello” në Itali. Ferdi Berisha, quhet i riu, i cili u shpall fitues i 300 mijë eurove, mbrëmjen e së hënës në spektaklin e drejtpërdrejtë, drejtuar nga Alessia Markuzi në “Canale 5”. Mes katër finalistëve (Marcello, Cristina dhe Gianluca), triumfoi 22-vjeçari rom, i prezantuar si me origjinë malazeze. Por mbiemri i tij Berisha, në të vërtetë flet për origjinën e tij shqiptare. Edhe historia e tij e emigracionit, nisja nga brigjet shqiptare, flasin për prejardhjen e tij, megjithatë gjatë 99 ditëve të qëndrimit brenda shtëpisë së “Grande Fratello”-s, ai nuk e përmendi asnjëherë këtë fakt. Ashtu si historia e tij e dhimbshme, edhe origjina, janë bërë objekt debatesh nëpër forume të ndryshme, ku nuk kanë munguar të japin mendimin e tyre edhe shqiptarët. Gjithsesi, e vërteta është se Ferdi Berisha kishte një numër të madh mbështetësish, të cilët e mbajtën atë në lojë, pavarësisht kandidimit të herëpashershëm nga banorët e tjerë të shtëpisë, të cilët e shihnin atë si një kandidat të mundshëm për të fituar. Siç do ta komentonte opinionisti i “GF9”, Alfonsso Signorini, këtë vit, fitoi historia dhe publiku italian, u tregua vërtetë i zgjuar. Historinë e tij Ferdi e ka treguar në dhomën e rrëfimeve. I braktisur nga e ëma në moshë të mitur, ai jetonte me të atin, i cili vendosi ta marrë me vete në Itali, kur ishte 9 vjeç. Ai tregon për një udhëtim natën, mbi një gomone nisur nga brigjet shqiptare, duke sfiduar dallgët e Adriatikut. “Gjatë udhës mendoja: jam nisur nga një botë, për të përfunduar në një kamp rom, për të bërë jetën e mëparshme. Ç’kuptim kishte? Duhet të ishte diçka më e mirë..”. Fillimisht ishte shumë e vështirë. I ati i alkoolizuar, e detyronte të vidhte dhe një ditë e braktisi. Për djalin, i cili përfundoi në institutin “Don Orione” në Fano, ishte fillimi i një jete të re. Pati mundësi të diplomohej për turizëm dhe pasi jetoi për dy vjet në një familje italiane, sot ndan një apartament me një mikun e tij. Gjatë këtyre viteve humbi çdo kontakt me familjen e tij. E ëma mbeti në Mal të Zi, i ati e telefonoi vetëm një herë ndërsa e motra ndodhet në Gjermani. Ndërsa ka luftuar për të fituar jetën që ka ai thotë: “Nuk dua të jem një spektator, dua ta jetoj jetën si protagonist”. Por duket se nuk ka goditur vetëm historia e tij, por edhe lidhja e tij brenda shtëpisë me napolitanen bukuroshe Francesa Fioretti. Por padyshim edhe dëshira për të ndryshuar, për të studiuar. Nuk iu besua kur Markuzzi thërriti emrin e tij si fitues. I duhej kohë të mblidhte veten. Nuk i thonë pak 300 mijë euro. “Më në fund mund të blej një shtëpi. Më tej duhet të diplomohem e të regjistrohem në Universitet”, - thotë ai për “Tgcom”. Pa harruar origjinën e tij ai thotë: “Do të doja të merresha me vullnetarizëm, në ndihmë të komunitetit rom”. Këto janë projektet e para të Ferdi Berishës. Mendohet që një pjesë e çmimit të shkojë për një projekt kundër emigracionit të paligjshëm. “E di që jo gjithnjë komuniteti rom lë mundësinë për të qenë i pranuar, por nuk mund t’i përgjithësojmë gjërat. Do të ishte bukur, sikur pjesëmarrja ime në “Grande Fratello” të mundësonte kapërcimin e paragjykimeve ndaj romëve”. E duket se ëndrra Ferdi ka shumë. “Do të doja të bëhesha mjek, sepse në vendin tim ka pasur luftë dhe gjithnjë jam ndierë i pafuqishëm. Në të kundërt do tentoja në psikologji, shpirti njerëzor më ka tërhequr gjithnjë dhe personalisht jam nga ata njerëz që bëj një mijë pyetje”, - thotë ai për “Tgcom”. Duke iu kthyer fitores, dëshiron të theksojë: “Nuk jam mbështetur asnjëherë tek e kaluara ime dhe nuk jam nga ata që bëjnë llogarira. Kam qenë vetvetja gjithmonë. Ndoshta publikut i ka pëlqyer diplomacia ime”.
Sa i takon të ardhmes në botën e spektaklit, ai thotë se tani për tani do që t’i dedikohet vetëm studimeve dhe punës si kuzhinier, të cilën ai e adhuron. Edhe pse do t’i pëlqente që në të ardhmen të bëhej aktor, por më së pari duhet të mësojë zanatin. Për Alessia Marcuzzi-n e ardhmja e Ferdit jo detyrimisht është në botën e spektaklit. “Është një djalë gjithë interesa dhe uroj që pas një jete të dhimbshme në heshtje, mund të thërrasë nga gëzimi. Publiku votoi Ferdin, sepse diti të reagojë, të lërë mënjanë dhimbjen dhe të shohë nga e ardhmja”. Sa i përket lidhjes me Francesca Fioretti-n, 24-vjeçaren napolitane, Ferdi thotë se janë në fazë njohjeje. “Tashmë do të shohim nëse gjërat do të shkojnë përpara. Në shtëpi emocionet marrin rrëmbimthi, prova e vërtetë do të jetë tani në jetën reale”. “Në shtëpinë e “Grande Fratello”-s, Ferdi pati një tjetër fitore, lidhjen me Francesca-n. Një vajzë shumë e bukur, një ndër më të bukurat që kanë marrë pjesë në këtë lojë. Një perëndeshë, që në fund ka zgjedhur atë”, - u shpreh pas mbylljes së spektaklit moderatorja Alessia Markuzzi.
Familja
Kishte humbur kontaktet me familjen prej shumë vitesh. Gjatë ditëve të qëndrimit brenda shtëpisë “Grande Fratello” i bëri surprizë, Ferdi Berishës, djalit me origjinë rome nga Podgorica, një komunikim me të ëmën, e cila ende jeton në Mal të Zi dhe të motrën, që gjendet në Gjermani. “Jam i lumtur që pata mundësinë të rishihja nënën dhe motrën time. Im atë kush e di... ndoshta do të bëhet i gjallë. Do ta falja, por nuk do të bënte më pjesë në jetën time. Nuk kemi më asgjë të përbashkët, tanimë unë jetoj në “normalitet”. Me motrën do komunikoj përmes e-mail-it, sepse nuk mund të dal nga Italia. Kam kartën e identitetit të pavlefshme për shkak të mërgimit, nuk kam as shtetësinë italiane dhe as malazeze”, - thotë ai.