Sulm gazetarit Baton Haxhiu nga vëllai i ish-ministrit
Gazetari i mirënjohur kosovar, Baton Haxhiu, është sulmuar fizikisht në ambiente publike nga vëllai i ish-ministrit kosovar të Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugollit. Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) ka reaguar ndaj këtij sulmi, duke i kërkuar autoriteteve të rendit të zgjidhin çështjen dhe të dënojnë agresorin, Gafurr Dugollin. “Ky sulm dëshmon edhe njëherë për gjendjen dhe ambientin e vështirë në të cilin punojnë gazetarët kosovarë. Ky sulm, dëshmon se gazetarët kosovarë nuk janë të lirë ta ushtrojnë profesionin e tyre. Ky sulm dëshmon nevojën urgjente, që organet e drejtësisë të merren seriozisht me mbrojtjen e gazetarëve kosovarë”, thuhet në një reagim të AGPK-së. Sipas lajmit të publikuar në gazetën “Express”, AGPK-ja kërkon urgjentisht nga organet e drejtësisë të nisin procedurat e nevojshme për rastin në fjalë. “Sulmi ndaj gazetarit Haxhiu ka ndodhur në një ambient publik dhe mjaft të frekuentuar, prandaj prokurorët nuk do ta kenë të vështirë që të gjejnë dëshmitarët e duhur”, shtohet në njoftim. Sipas AGPK-së, nëse organet e drejtësisë nuk do të nisin procedurat e nevojshme të ndjekjes së Gafurr Dugollit, AGPK-ja do të detyrohet që në ditët në vijim të nisë një fushatë presioni ndaj institucioneve të Kosovës. Deri tani institucionet e Kosovës nuk kanë reaguar ndaj njoftimit. Gazeta nuk ka dhënë detaje mbi shkaqet e sulmit, nëse kanë qenë të natyrës personale apo profesionale. Megjithatë, opinioni publik e ka dënuar sulmin ndaj Haxhiut, figurë e njohur medias në Kosovë, duke ironizuar mbi mosfunksionimin e institucioneve për shkak të ryshfeteve (opinioni publik në forumin e “Express” aludon se familja e ish ministrit tashmë ka shumë para dhe mund të mbyllë çfarëdo çështje). Baton Haxhiu ka qenë një nga zërat e lirë të medias në Kosovë edhe gjatë kohës së konfliktit me Serbinë, gazeta që ai drejtonte gjatë viteve të luftës (1999), “Koha ditore” u dogj dhe drejtuesit e saj u deklaruan të vdekur. Por Haxhiu kishte arritur të arratisej në territorin maqedonas pasi qëndroi 12 ditë i fshehur. Shkrimet e gazetës së tij flisnin për brutalitetin dhe ekzekutimet serbe ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë dhe ishin kthyer në zërin e Kosovës për të gjithë botën.
Keqardhje nga Serbia
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka shprehur keqardhjen për vendimin e Arabisë Saudite për ta njohur Kosovën, sepse, sipas tij, kjo erdhi në kohën kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë duhet të deklarohet për ligjshmërinë e pavarësisë. Jeremiç i bëri këto komente në Bruksel pas takimit me komisionerin për Zgjerimin të BE së, Olli Rehn dhe shefin për Politikë të Jashtme e Siguri, Havier Solana. Jeremiç përsëriti se pavarësisht nga rrethanat, Serbia asnjëherë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Sejdiu: Presim njohje të tjera nga vendet islame
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë paralajmëruar njohje të reja nga vendet islame, pas vendimit që mori zyrtarisht një ditë më parë Arabia Saudite. Sipas presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi, njohja nga vendi më i rëndësishëm i botës arabe është shenjë e përkrahjes për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran. Ndërkohë, edhe vendet mike dhe partnere të Kosovës, pas kësaj njohjeje porosisin Prishtinën të vazhdojë me angazhimin në drejtim të sigurimit të njohjeve të reja.