Tiranë-Strugë, marrëveshje akademike
Dy ditë më parë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetit Ndërkombëtar të Strugës, Maqedoni. Për palën shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i Akademisë së Shkencave, Akademik Gudar Beqiraj, ndërsa për Universitetin Ndërkombëtar të Strugës nënshkrimi u bë nga rektori, Dr. Lisen Bashkurti. Marrëveshja parashikon shkëmbim të kuadrit akademik për mbajtjen e leksioneve, organizimin dhe ndihmën reciproke për aktivitetet shkencore, veprimtari të përbashkëta promovimi dhe publikimi me qëllim sensibilizimin e qytetarëve për projekte ndërmjet këtyre dy institucioneve, bashkëpunim për ideimin dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore-shkencore dhe arsimore, pjesëmarrje në programet dhe projektet arsimore-shkencore të organizuara dhe financuara nga Bashkimi Evropian dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, shkëmbim të botimeve të dy institucioneve, zhvillimin e konferencave shkencore, simpoziumeve, seminareve, tribunave të përbashkëta, shkëmbim të informacioneve në fushat e kërkim-zhvillimit. Marrëveshja do të zbatohet për një afat kohor tre vjeçar, respektivisht në tri vitet e ardhshme akademikë, duke filluar nga viti akademik 2009/2010.