E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e Gjenevës, miratohet mes polemikave dokumenti i parë

 

Konferenca e OKB-së në Gjenevë “Durban 2”, ka miratuar Deklaratën finale mbi racizmin, sipas njoftimit të presidentit, Amos Uako. Teksti, i miratuar nga mbi 100 vende, rimerr nga përfundimet e konferencës së parë ndërkombëtare mbi racizmin në vitin 2001 zhvilluar në Afrikën e Jugut, që dënon veçanërisht Izraelin për pushtimin e territoreve palestineze. Konferenca zgjat deri të premten, më 24 prill edhe pse teksti u miratua para kohe. Ai u aprovua pa modifikime. Takimi i Gjenevës ishte kaotik sidomos në pjesën e parë, kur dy protestues me kokën të lyer me ngjyra kanë hedhur hundë të kuqe klouni drejt presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinexhad ndërsa ai nisi fjalimin e tij. Një grup studentësh hebrenj nga Franca thanë se ishin përpjekur të shfaqnin “maskaradën që përfaqëson kjo konferencë”. Ahmadinexhad ishte zyrtari i parë përfaqësues i një shteti që niste fjalimet në Gjenevë. Ai e hapi konferencën me terma polemizues, që nxitën edhe largimin e disa vendeve perëndimore, pasi e quajti Izraelin “përfaqësuesin më të madh të racizmit”. Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Izraelit, Silvan Shalom i është kundërpërgjigjur termave fyese, që ka përdorur presidenti iranian Ahmadinexhad në konferencën kundër racizmit në Gjenevë, duke e krahasuar atë me nazistët. “Irani po përpiqet të imitojë Gjermaninë naziste sa i përket trajtimit të hebrenjve dhe po bën gjithçka është e mundur për ta fshirë Izraelin nga harta”, tha Shalom. Ai i bëri këto komente gjatë një fjalimi në kampin e përqendrimit, “Aushvic Birkenau” në Poloni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›