Flamurtari–Shkumbini, beteja për historinë
Për herë të fundit Flamurtari ka diskutuar një gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë në edicionin 1998-1999, kur u eliminua më pas nga Tirana (1-2, 0-2), por dy herë fituesit e Kupës së Shqipërisë synojnë finalen e 11-të historike në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm, kur të mërkurën do të përballet në Vlorë me Shkumbinin në sfidën e parë gjysmëfinale.
Flamurtari arriti për herë të 17-të në katërshen e Kupës pas një serie prej 3 ndeshjes e 330 minuta lojë me Partizanin, por ndaj Shkumbinit vlonjatët janë në alarm mungesash, pasi trajneri Eqerem Memushi nuk do të ketë në dispozicion jo pak, por nëntë lojtarë titullarë. Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika ka vendosur një premio të madhe prej 10 mijë eurosh për kualifikimin në finale.
Shkumbini ka qenë edhe dy herë të tjera në gjysmëfinale (1999-2000, 2006-2007), por tani me formën që gëzon (aktualisht vendi i katërt në kampionat) synon një objektiv të madh: finalen e parë, e ndoshta dhe trofeun e parë, e rrjedhimisht edhe pjesëmarrjen e parë historike në Europë.
Shkumbini eliminoi në mënyrë të befasishme në çerekfinale Besën (1-1, 1-0), skuadër të cilën e mundi edhe në fundjavë për kampionat, falë golit të talentit Erjon Mustafaj. “Dy ndeshjet kundër Flamurtarit janë shumë të rëndësishme. Janë dy sfidat e sezonit për ne, nëpërmjet të cilave synojmë të arrijmë finalen e madhe. Dua të jem unë shënuesi i golit në Vlorë”, - tha për mediat autori i katër golave në kampionat.
15 Prill 2009