E Hënë, 2 Nëntor 2026

Skandal me hidrocentralin e Lanabregasit

25/02/2005  Tenderi u fitua nga firma e Viktor Dodës dhe Namik Dokles

Luan Bregasi ka akuzuar komisionin se ka favorizuar firmën e Dodës, kërkohet anulimi i tenderit

Hidrocentrali i Lanabregasit është fituar nga kompania SGA, e cila duket se ka patur pikavarazhin më të lartë, por dhe kundërshtimet më të mëdha nga ana e kompanive të tjera. Tenderi për përzgjedhjen e fituesit të koncensionit të hidrocentralit të Lanabregasit, është shoqëruar me debate dhe akuza të ashpra mes konkurrentëve dhe komisionit. Luan Bregasi, një prej pronarëve të kompanisë “IliriaB”, ka akuzuar se tenderi është fituar padrejtësisht nga firma e Viktor Dodës dhe Namik Dokles. “Ta gëzojnë hidrocentralin Doda dhe Dokle, po ne nuk do ta lëmë me kaq”, ka thënë Luan Bregasi, kur është shpallur fituesi i tenderit. Bregasi ka kërkuar që të “anulohet tenderi dhe të ngrihet një komision tjetër me ekspertë dhe jo me inxhinierë ndërtimi, që nuk marrin vesh nga hidrocentralet”, duke aluduar për zv.ministrin e Ekonomisë, Ilir Ciko. Por ka qenë i menjëhershëm reagimi i ministrit Doda, i cili ka përgënjeshtruar deklaratat e Bregasit. “Deklaroj me përgjegjësi qytetare dhe zyrtare, se nuk kam asnjë lidhje me kompanitë konkurruese dhe as me kompaninë e renditur e para nga Grupi i Ekspertëve”, ka bërë të ditur ministri Doda, në një deklaratë për shtyp. Sipas Bregasit, nuk është hera e parë që kjo firmë fiton të drejtën koncensionare për hidrocentrale. “Gjatë intervistave, kjo ishte firma që u vlerësua si e dështuar, por si për çudi komisioni e vlerësoi të parën”, u shpreh Bregasi. Gjithnjë duke u mbështetur në deklaratat që Bregasi bëri për shtypin pas përfundimit të tenderit, rezultoi se firma fituese kishte në koncension dhe një hidrocentral tjetër. “E njëjta firmë ka dhe një hidrocentral me koncension dhe njihet si një firmë që ka fituar shumë tendera dhe është afër Dodës”, tha Bregasi. Në lidhje me këtë fakt, ministri Doda ka kërkuar nga komisioni të bëhen publike të gjitha të dhënat në lidhje me kompaninë fituese. Konkurrentët e tjerë kanë kërkuar të njohin përfaqësuesin ose pronarin e kompanisë fituese, por komisioni nuk ka bërë të njohur emrin e tij. Reagime të ashpra ka patur dhe nga konkurrentët e tjerë, të cilët nuk kanë dashur të pranojnë rezultatin, duke deklaruar se komisioni i ngritur nuk ka patur ekspertë dhe vlerësimi që i është bërë katër kritereve, nuk ka qenë i saktë. Revolta e konkurrentëve të humbur ka shkaktuar një pështjellim të vërtetë në sallë, ku të gjithë bërtisnin dhe askush nuk dëgjonte më komisionin. Përfaqësuesit e kompanisë “Triss Ndërtim”, kanë akuzuar komisionin se nuk kanë parë me vëmendje ofertat dhe ka nxituar të shpallë fituesin, vetëm duke u nisur nga vlera maksimale e investimit. Ndërkaq, sipas specialistëve, firma fituese duket se nuk ka patur maksimumin në të gjithë treguesit, por vetëm për sa i takon vlerës së investimit, që, sipas konkurrentëve, ka qenë tepër e lartë dhe e pajustifikueshme. Konkurrentët kanë akuzuar komisionin për mungesë transparence, duke deklaruar se vlerësimi është bërë në mënyrë abuzive. “Nuk është transparencë të ftosh gazetarët dhe të tregosh kush ka fituar, por është transparencë të tregosh se si i ke bërë vlerësimet”, ka thënë Bregasi. Të gjithë konkurrentët kanë qenë të mendimit se, në komision mungonte mendimi i një specialisti të mirëfilltë dhe nga shtatë anëtarë vetëm dy mund të quheshin specialistë të sektorit. “Nuk bëhen vlerësimet për një nga hidrocentralët më të rrallë në botë me kalamaj”, ka thënë ish-drejtori i Lanabregasit.

Doda, Prokuroria të hetojë për çështjen

Vlerësimi i kompanive që morën pjesë në këtë garë është bërë nga Grupi i Ekspertëve dhe jo nga ana ime. Procesi nuk drejtohet nga Ministria e Industrisë dhe Energjetikës. I bëj thirrje Prokurorisë së Përgjithshme, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe strukturave audituese, të hetojnë dhe të kontrollojnë këtë proces për të nxjerrë përgjegjësitë ligjore, si ndaj të akuzuarit, ashtu dhe ndaj akuzuesit. Deklaroj publikisht se heq dorë nga imuniteti im si ministër dhe deputet, për t’i hapur rrugë drejtësisë të veprojë për zbardhjen e kësaj akuze. I kujtoj z.Bregasi, se në ekonominë e tregut nuk konkurrohet me akuza të pavërteta dhe deklarata, por me projekte zhvillimi të studiuara e të vlerësuara, sipas procedurave ligjore. Gjithashtu, i kërkoj Grupit të Ekspertëve dhe mediave të bëjnë publike të gjithë treguesit e të shtatë kompanitë konkurruese, të përzgjedhura nga ky grup. Mbetem në dispozicion dhe i hapur në çdo moment për zbardhjen e së vërtetës dhe për çuarjen e këtij problemi deri në fund.

Vlerësimi teknik

Hidrocentrali i Lanabregasit i është dhënë me koncension për 30 vjet një prej 15 firmave që konkurruan për të. Në fazën e parë janë përzgjedhur 7 nga 18 firmat e prezantuara. Mes tyre, dje komisioni ka caktuar si fitues kompaninë SGA, e cila do të duhet të bëjë investime serioze gjatë 30 vjetëve dhe të rrisë kapacitetin e punës së hidrocentralit. Koncensioni është i tipit ROT, që do të thotë rikonstruksion, operim dhe më pas transferim i hidrocentralit. Për të bërë vlerësimin e ofertave të kompanive, komisioni është mbështetur në katër tregues. Shkalla e investimit dhe ristrukturimit të hidrocentralit, koha e realizimit të këtij investimi, si dhe sasia me të cilin do të rritet prodhimi i ujit dhe energjisë, ishin treguesit mbi bazën e të cilit do të shpallej fituesi.

Katër kriteret që përcaktonin fituesin

Vlerësimi i investimit, shkalla e ndërhyrjes

Koha e realizimit

Rritja e prodhimit të sasisë së energjisë

Rritja e prodhimit të sasisë së ujit

Kompanitë konkurruese dhe pikavarazhi

SGA 83 pikë

Wonder & alfa & T.I.D & Wonder Poëer 78 pikë

Iliria B Alfa 75 pikë

Triss Ndërtim 64 pikë

GSA 64 pikë

AIG albanian investment group 55 pikë

Lura sh.A 51 pikë

FMN, do ju ndihmojmë në negociatat me BE-në

Shqipëria ka një performancë të mirë ekonomike dhe raporti i përgatitur nga FMN-ja për t’ia paraqitur Bordit të Drejtuesve, është pozitiv. Ka qenë ky vlerësimi i drejtorit Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Pier Carlo Padoan, i cili gjatë takimit me Kryeministrin Nano, ka deklaruar se FMN-ja do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë gjatë tre viteve në vazhdim. ”Ne ramë dakord që qëllimi final është përgatitja për një pjesëmarrje të plotë në procesin e integrimit evropian dhe në këtë pikë marrëdhëniet me Fondin janë proaktive dhe shumë pozitive”, tha Pier Carlo Padoan. Ndërkaq, Kryeministri Nano ka vlerësuar bashkëpunimin me FMN-në dhe ndihmën që pritet prej saj, gjatë negociatave të Stabilizim-Asociimit. “Me këtë kontribut, prani dhe bashkëpunim me FMN-në, Shqipëria është e përgatitur për një marrëveshje asociimi me BE-në dhe për këtë kalim të natyrshëm nga grantet te kreditë komerciale, nëpërmjet bankave dhe institucioneve financiare ndërkombëtare”, tha Kryeministri Nano. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim, se në këtë fazë të re në të cilën ka arritur Shqipëria, do të vazhdojë të ketë një bashkëpunim edhe më interaktiv midis FMN-së dhe Shqipërisë, për të konsoliduar kapacitetet menaxheriale, për të paraqitur realisht kredibilitetin e rritur të vendit në marrëdhënie me banka, kompani globale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›