Ferguson: Milani, më i dobët pa Kaka
Vetëm pak orë përpara se Milani dhe Mançester Junajtid të zbresin në fushën e lojës, sfida ndërmjet dy gjigantëve europianë është “ndezur”. Kuqezinjtë do të presin sot “Djajtë e Kuq” në përballjen e vlefshme për 1/8-at e Champions League. Me klasin dhe elegancën që e karakterizon, Sër Aleks Ferguson nuk ka humbur mundësinë që të “shigjetojë” rivalët e përhershëm në arenën ndërkombëtare. Tekniku skocez, i cili ka ndjekur rivalët të premten në ndeshjen e kampionatit Milan-Udineze, nuk e fsheh opinionin e tij: “Mendoj se është një moment i mirë për t’u ndeshur me Milanin. Ata luajtën në fundjavë, Kaka nuk është më në skuadrën e tyre dhe kanë disa lojtarë të dëmtuar. Në anën tjetër, ne nuk kemi luajtur dhe arritëm të çlodheshim”.
Edhe pse skuadra e Leonardos nuk ka yllin brazilian, që gjatë verës u transferua te Reali i Madridit, Ferguson nuk kërkon të bëjë gabimin që të nënvlerësojë kundërshtarët. “Ata e aktivizonin Kakanë si mesfushor të avancuar, në majën e rombit të mesfushës, pas shpinës së dy sulmuesve. Tashmë po luajnë me skemën 4-3-3 me dy sulmues krahësh dhe tre mesfushorë qendre. Më duhet të pranoj se kanë lojtarë cilësorë dhe me shumë përvojë, si Pato e Ronaldinjo, por edhe ne kemi futbollistë që janë në gjendje të ndryshojnë rrjedhën e ndeshjes”, deklaroi Fergi. Megjithatë, drejtuesi i stolit të Junajtid është i sigurt për një fakt: gjysmëfinalja e vitit 2007, kur Milani fitoi 3-0 nuk do të përsëritet. Ai tha: “Tri vjet më parë, në ‘San Siro’, ata dominuan plotësisht, por jam i sigurt që kjo nuk ka për të ndodhur më”. Anglezët duhet të ndryshojnë diçka në formacionin e tyre për shkak të mungesës së Rajan Gigs në repartin ofensiv, por edhe të Xhon O’Shi dhe Nemanja Vidiç në mbrojtje. Për një fanellë titullari përkrah Rio Ferdinand në balotazh janë Xhoni Evans dhe Ues Braun. Në Europë, gjatë këtij sezoni, Junajtid ka fituar gjithmonë në transfertë, por Ferguson nuk e fsheh shqetësimin për rikthimin e Aleksandre Patos. “Braziliani është një lojtar vendimtar, jam i sigurt që Milani do të bëjë të pamundurën, që ai të jetë në formë optimale. Bekam? E njohim shumë mirë, i jashtëzakonshëm me harkimet nga krahët dhe duhet të jemi të kujdesshëm nga goditjet e tij”, përfundoi trajneri i anglezëve.
#