Sulaj justifikohet: Njerëz jemi edhe ne
Në ndeshjen Shkumbini-Tirana, 1-0, nuk munguan incidentet, ku protagonist ishte donatori dhe deputeti i Peqinit, Dashnor Sulaj, i cili ka reaguar 24 orë më pas. Në një prononcim për “Top Channel”, Sulaj rrëfen sipas mënyrës së tij gjithçka ndodhi në këto skena jo normale për një ndeshje futbolli. “I vetmi moment i acaruar ishte dalja me të kuq e Tafajit dhe gjykoj se ishte një moment i drejtë nga gjyqtari. Unë kam dashur të hyj për një moment për t’i qetësuar dhe nuk më kanë lënë forcat e rendit. Nuk është situatë normale, por ne prej mishi dhe gjaku jemi”, tha Sulaj. Njëkohësisht ai premton se këto skena, nuk do të ndodhin më. “Thashë që është gabim, por gjykoj se duhet të tregohemi të kujdesshëm. Nuk lamë imazh të mirë dhe këtë duhet ta pranojmë publikisht. Por futbolli është një lojë që mund të çojë në veprime të tilla. Premtoj dhe reagimi do të jetë shumë herë më pozitiv se sa ajo që u pa në këtë rast”, theksoi Sula.
#